“Njollë e zezë kontrabande!”, Ardi Veliu zbarkon në Shkodër, ja porositë që dha - Bota Sot
“Njollë e zezë kontrabande!”, Ardi Veliu zbarkon në Shkodër, ja porositë që dha

Shqipëria

“Njollë e zezë kontrabande!”, Ardi Veliu zbarkon në Shkodër, ja porositë që dha

Më: 25 janar 2020 Në ora: 10:23
Ardi Veliu

"Shkodra është një njollë e zezë sa i takon kontrabandës" – kjo ka qenë deklarata e bërë në mbledhjen e drejtuesve të policisë së Shkodrës nga kreu i policisë së Shtetit, Ardi Veliu.  Ky i fundit i shoqëruar nga Drejtori për Krimin e Organizuar Tonin Vocaj dhe Drejtori i Rendit Gjovalin Loka kanë zbarkuar ne Shkodër në analizën e Policisë së Shkodrës për 2019.

Edhe pse në shifra, ngjarjet kriminale kane qenë më të ulëta se në vitin 2018, sërish drejtuesit e Policisë së Shkodrës nuk i kanë shpëtuar kritikave.

"Gjatë vitit 2018 kemi pasur 26 vepra penale sa  i përket kontrabandës. Kemi pasur ulje të fenomenit në 2019-ën. Ka rënë kontrabanda apo është paaftësi e juaja? Shkodra është një njollë e zezë në vend sa i takon kontrabandës"- është shprehur Veliu.

Pavarësisht se ka dhënë një vlerësim për ngjarjet e rënda kriminale, Veliu u shpreh se ishte i pakënaqur që disa grupe dhe individë të ndryshëm kriminal, pa përmendur emra konkret nuk janë goditur dhe në këtë aspekt duhet që të ketë më shumë efektivitet dhe policia e Shkodrës t’i godasë grupet kriminale apo elementët e rrezikshëm kriminal që janë ende të lirë.

Më shumë angazhim dhe profesionalizëm kërkoi edhe nga patrullat e përgjithshme të cilët sipas kreut të policisë së shtetit duhet që të jenë në një nivel pak më të lartë.

Vjedhjet në Shkodër, disa prej të cilave në shuma të konsiderueshme parash apo në disa raste edhe në subjekte afër policisë, kanë qenë një tjetër kritike nga ana e Veliut për strukturat. Ai kërkoi që policia e Shkodrës të ketë një vëmendje të shtuar qoftë në zbulueshmërinë e autorëve të vjedhjeve por edhe në parandalimin e tyre dhe në goditjen e autorëve.

Ajo që ka kërkuar ndër të tjera është edhe eliminimi total i fenomenit të kultivimit të bimëve narkotike. Edhe pse ka një rënie, Shkodra vazhdon që të jetë një pikë e kuqe në hartën e rajoneve problematike sa i përket kultivimit të drogës. Drejtori Veliu ka kërkuar që lufta të jetë edhe më e fortë për të zeruar kultivimin e kanabisit kryesisht në zonat malore.

Disa shefa policie i kanë shprehur shqetësimin për ndalimin e përdorimit të telefonave duke thënë se në disa zona të largëta si Vau i Dejës por edhe të tjera radiot nuk kanë valë. Drejtori Veliu ishte i prerë në këtë diskutim duke thënë që në mënyrë absolute askush nuk duhet që ta përdor telefonin por vetëm radion e policisë për çështje pune dhe raportime të ndryshme policore.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat