Meta: Shoqëria jonë ka nevojë të nxisë vullnetarizmin në kauzën e dhurimit të gjakut

Shqipëria

Meta: Shoqëria jonë ka nevojë të nxisë vullnetarizmin në kauzën e dhurimit të gjakut

Më: 29 janar 2020 Në ora: 13:10
Ilir Meta

Presidenti Ilir Meta vizitoi sot Universitetin e Sporteve të Tiranës, ku së bashku me një grup të studentësh, si dhe pedagogë të tyre, mori pjesë në seancën e dhurimit të gjakut, në kuadër të nismës së ndërmarrë prej tij.

Presidenti shprehu mirënjohjen për të rinjtë e angazhuar vullnetarisht për të dhënë kontributin e tyre humanist për këtë kauzë fisnike, duke e vlerësuar aktin e tyre si ndjenjë të lartë përgjegjshmërie shoqërore.

Njëkohësisht kreu i ahtetit falënderoi futbollistin Andi Lila dhe Sindikatën e Futbollistëve të Shqipërisë, që u bënë promotorët e kësaj seance dhurimi gjaku.

“Universiteti i Sporteve i Tiranës, është i vetmi institucion i lartë i këtij lloji, që përgatit mësuesit e edukimit fizik dhe specialistët e sportit, dhe më vjen mirë që vullnetarisht ju i bashkoheni kësaj kauze humane, për më tepër duke dhuruar gjak sportisësh, që për shkak të përgatitjes suaj fizike është shumë cilësor. Me këtë akt fisnik ju i jepni nder, jo vetëm sportit, por edhe Universitetit Tuaj, nga i cili kanë dalë shumë figura të shquara të sportit shqiptar, që e kanë lartësuar emrin e Shqipërisë në arenat ndërkombëtare”, u shpreh Meta.

Ai tha se dhurimi i gjakut është një proces 100% i sigurtë dhe tepër i shëndetshëm, sidomos për të rinjtë dhe për të rejat.

“Shoqëria jonë ka nevojë të nxisë vullnetarizmin në kauzën e dhurimit të gjakut dhe për kauza të tjera sociale. Të rinjtë janë ata që mund të bëjnë ndryshim të madh me energjinë dhe me kontributin e tyre të jashtëzakonshëm. Të forcojmë solidaritetin shoqëror dhe vullnetarizmin, për të mbështetur këdo që ka nevojë për ndihmë”, deklaroi ndër të tjera kreu i shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat