Shqipëria shënon 3 të vdekur nga COVID-19, ministrja Manastirliu i jep paralajmërimin e fortë qytetarëve

Shqipëria

Shqipëria shënon 3 të vdekur nga COVID-19, ministrja Manastirliu i jep paralajmërimin e fortë qytetarëve

Më: 23 mars 2020 Në ora: 07:27
Ogerta Manastirliu

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka reaguar lidhur me 71-vjeçarin që humbi dje jetën në spitalin Infektiv si pasojë e Covid-19, duke e çuar në total, në 3 numrin e viktimavë në Shqipëri nga koronavirusi.

Ndërsa i shpreh ngushëllimet familjarëve, Manastirliu shkruan se mjekët bënë të pamundurën, por komplikacionet e shkaktuara nga një seri sëmundjesh e bënë të pamundur mbajtjen e tij në jetë.

Postimi i plotë:

Ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të pacientit, që humbi jetën sot në Spitalin Infektiv.


Mjekët tanë bënë të pamundurën në këtë luftë për jetën, por komplikacionet e shkaktuara nga një seri sëmundjesh e bënë të pamundur mbajtjen në jetë të pacientit 71-vjeçar.

Çdo jetë e humbur në këto ditë, veç dhimbjes që shkakton për familjarët dhe për ne, duhet të shërbejë si një thirrje për të gjithë:

Rrini në shtëpi, mos i jepni mundësinë ketij virusi të infektojë dhe të rrezikojë jetën e të shtrenjtëve tanë!

Dua të përsëris thirrjen për qytetarët: Zbatoni masat e higjenës. Zbatoni masat e distancimit social. Mos dilni nga shtëpitë. Kështu, ju shpëtoni jetë! Pa ndihmën tuaj, mjekët nuk mund t’ia dalin!

Kjo është një luftë me një armik të pamëshirshëm, ndaj ta luftojmë duke qëndruar larg fizikisht, por më të bashkuar se kurrë në zemër dhe mendje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat