Cakaj për fillimin e dialogut në Uashington: Shqiptarët sa herë kanë qenë afër SHBA-ve, kanë qenë gjithmonë fitues!

Shqipëria

Cakaj për fillimin e dialogut në Uashington: Shqiptarët sa herë kanë qenë afër SHBA-ve, kanë qenë gjithmonë fitues!

Më: 22 qershor 2020 Në ora: 23:08
Gent Cakaj

Shqiptarët e Luginës së Preshevës dje kanë bërë historinë. Në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, ata arritën të fitojnë dy mandate. Ky triumf erdhi pasi ata garuan me një listë te vetme, e ai që bashkoi spektrin politik atje, ishte pikërisht Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj.

Ky  fundit në një intervistë ka thënë se thelbi i gjithë kësaj ndërmarrjeje nuk ka qenë numri i mandateve, por e rëndësishme sipas tij është që pjesmarrja dhe mbështetja ka qenë masive, fakt ky që tregon se shqiptarët e kanë mbështetur listën e Luginës së bashkuar.

Sa i përket spektrit politik në Maqedoninë e Veriut, ai për herë të parë rrëfen se ka qenë i angazhuar edhe në këtë proces, por që sipas tij rrethanat atje dallojnë nga ato në Luginën e Preshevës.

“Unë këtë po e them për herë të parë, kam qenë i angazhuar, kam pasur edhe komunikim aktiv me të gjitha partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, rrethanat atje janë pak më ndryshe. E para partitë politike atje kanë një historik të angazhimeve të tjera, kanë një tjetër, shqiptarët vet ekzistojnë në një konstilacion tjetër politik, është çështje e vullnetit të partive politike atje se si do të garojnë, ne e kemi bërë përpjekjen tonë për të mundësuar më të mirën për shqiptarët atje, jemi po ashtu ende në komunikim të rregullt me të gjitha partitë shqiptare.

E rëndësishme është të theksohet se shqiptarët atje nuk mund të trajtohen si një pakicë e vogël sepse janë një element shtetformues dhe specifikat e Maqedonisë së Veriut janë krejtësisht ndryshe nga ato në Luginën e Preshevës. Fundja mos të harrojmë se shqiptarët janë pjesë e qeverisë në Maqedoninë e Veriut dhe kanë pas një rol shumë të madh edhe në kalimin e Marrëveshjes së Prespës edhe në anëtarimin në NATO edhe në udhëheqjen e vetprocesit të integrimit evropian dhe në këtë kuptim, nuk mund të ketë një krahasim thjeshtëzues mes shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, përkatësisht në Serbi dhe shqiptarëve si element shtetformues të integruar në institucionet e Maqedonisë në anën tjetëer”.

Ministri shqiptar, ka folur edhe për rifillimin e procesit të dialogut mes Kosovës e Serbisë. Ai pa dashur të flas për pritjet e tij personale, ka përmendur një fakt, e që sipas tij është se shqiptarët sa herë kanë qenë afër SHBA-ve, gjithnjë kanë dalë fitues.

“S’dua të flas për pritjet e mija personale, por dua ta nënvizoj fare zëshëm një fakt, e ai fakt është se shqiptarët sa herë kanë qenë afër SHBA-ve kanë qenë gjithmonë fitues, mos të bëhet dikush që Amerika komploton kundër shqiptarëve e Kosovës sepse Kosova nuk do të ishte këtu ku është pa mbështetjen e SHBA-ve, dhe ajo çfarë është e padiskutueshme është nevoja për besim në SHBA-të në mbështjetjen e SHBA-ve në këtë proces dhe shqiptarët nuk kanë pse frikësohen kur SHBA-të janë garant i një marrëveshje të caktuar dhe theksoj publikisht nevojën që Serbia ta njeh Republikën e Kosovës”.

Krejt në fund Cakaj thotë se kudo dhe kurdo herë që SHBA-të involvohen në procese të tilla, ne duhet të kemi parasysh që ato janë vetëm në favor të Kosovës dhe Kosova pa diskutim që do të jetë fituese prej tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat