“Gabim si u liruan masat” Mjeku: Fatkeqësi që spitalet në Shqipëri janë kthyer në vatra të Covid - Bota Sot
“Gabim si u liruan masat” Mjeku: Fatkeqësi që spitalet në Shqipëri janë kthyer në vatra të Covid

Shqipëria

“Gabim si u liruan masat” Mjeku: Fatkeqësi që spitalet në Shqipëri janë kthyer në vatra të Covid

Më: 28 qershor 2020 Në ora: 18:06
Foto ilustrim

Mjeku shqiptar Kita Sallabanda është i mendimit se në Shqipëri, qeveria ka bërë një sërë gabimesh në lidhje me heqjen apo lirimin e masave anti-Covid.

Në një intervistë për abcnews, ai është shprehur se fatkeqësisht në Shqipëri, spitalet janë kthyer në qendra të infeksionit Covid, kjo për shkak se nuk janë marrë apo mbajtur masat e nevojshme të parandalimit.

“Lirimi i masave duhej bërë në mënyrë graduale. Njëkohësisht duhet të merreshin masa për fluksin, që spitalet në Shqipëri të mos bëheshin burim infeksioni. Spitalet në Shqipëri janë kthyer në qendra infeksioni, dhe kjo është një nga kritikat e mia. Masat duhet të rriten edhe në qendrat spitalore në rrethe, jo vetëm në Tiranë”, u shpreh Sallabanda.

Sipas mjekut shqiptar që punon në Spanjë, autoritetet duhet të kryejnë teste massive për personelin mjekësor, në kushtet kur spitalet janë kthyer në vatra infeksioni.

Intervista:

Në fillim u tha se testet e gjakut do të shtriheshin më gjerë në popullatë. Kjo gjë nuk ka ndodhur, si e shpjegoni këtë?

Sallabanda: Është një nga gjërat bazike të dimë sot, pasi mbi 50% e të sëmurëve më COVID-19 nuk kanë shenja klinike. Ne duhet të shtrijmë numrin e testimeve, tamponit që të dimë gjendjen e situatës aktuale dhe për të marrë masa ku ka qendra infeksioni. QSUT duhet t’i bëjë në mënyrë masive të gjithë personelit shëndetësor testet, tamponet.

Ne sot këtu ku unë jam bëjmë mbi 5 mijë teste në ditë dhe kjo na ndihmon të vizualizojmë qendrën. Testimet janë gjithmonë të rëndësishme për të ditur se çfarë po ndodh dhe për të masë masa mbrojtje dhe në këtë drejtim mendoj që Shqipëria ka ngelur mbrapa.

Sot e kësaj ditë akoma kemi shifra më të mëdha në Shqipëri dhe po marrim masa. Qeveria shqiptare duhet të punojë për të eliminuar vatrat. Për të eliminuar këto vatra qendrat duhet të forcohen.

Të forcohen konceptet e kontrollit individual kolektiv, të lehtësohet puna nga shtëpia që të mos ketë grumbullime. Nëse flasim për spitalet dua të bëj një kritikë shumë të fortë, më vjen shumë keq që Qendra Universitare Spitalore të kthehet në qendër infeksioni, kur unë kam një spital me po aq të sëmurë dhe kemi rregulla shumë të forta dhe nuk kemi infeksione brenda në spitale.

Çfarë duhet të bëjë më konkretisht Komiteti Teknik veç masave dhe këshillave teorikë që jepen çdo ditë në Shqipëri?

Sallabanda: Të gjitha administratat shtetërore apo private që kanë mundësi duhet të punojnë në shtëpi.

Duhet të merren masa drastike për kontrollin e infeksioneve spitalore.

Mendoj që duhet të bëhet e detyrueshme me ligj mbajtja e maskave në rrugë, nëse nuk sigurohet distanca 1.5 metër.

Si e shpjegoni numrin e lartë të personave, jo vetëm të infektuar, por që kërkojnë trajtim spitalor, me shenja të forta klinike?

Sallabanda: Edhe kjo po ndodh e kundërta. Me të dhënat që kam në Spanjë, nuk kemi pothuajse shtrime me COVID-19 në spitale. Dhe e kundërta po ndodh në Shqipëri, diçka nuk funksionon atje, dhe për këtë duhet të merren masa të forta.

Sepse si është e mundur që nuk kemi me pneumoni nga COVID-19, apo shtrime në reanimacion. Nuk kemi të sëmurë të rinj. Si është e mundur që në Shqipëri kjo është shtuar. Ka diçka që nuk shkon, përderisa nuk është e njëjtë me situatë në vende të tjera të Evropës, duhet të merren masa patjetër.

Kjo lidhet vetëm me masat apo virusi ka pësuar mutacion?

Sallabanda: Virusi është i njëjtë dhe me të njëjtën virus kemi situata të ndryshme, kjo tregon që nuk është virusi problemi, por janë masat administrative problemi. Po të kishte këtë mutacion virusi, do ta kishte bërë edhe në Francë, Spanjë,Itali… Dhe këto situata nuk janë. Mos ia hidhni fajin virusit.

Virusi aktualisht sipas të gjitha të dhënave në laboratorë ka një intensitet më të pakët infektimi. Problemi është çfarë masash po marrim për ta kontrolluar këtë virus. Për mua është shumë të abuzosh me rritjen e agresivitetit të virusit, pasi do të ishte i njëjtë edhe në Spanjë.

Nisur nga mënyra se si po veprohet në Shqipëri më COVID-19. Si e parashikoni të ardhmen?

Sallabanda: Besoj që Shqipëria ka njerëz të mençur, kapacitet, epidemiologë shumë të mençur që të gjithë baskë do ta zgjidhin këtë situatë. Nëse flasim në global diskutimet janë nëse do të ketë një fazë të dytë apo jo. Por di të them që sot dimë më shumë për virusin. Pra edhe nëse do të kemi një valë të dytë ne do të dimë ta kontrollojmë. Mendoj që ajo që kemi kaluar nuk do të përsëritet dhe situata në mënyrë graduale do të kontrollohet.

Në Shqipëri kemi numra më të lartë të personave që kanë humbur jetën, kemi edhe mosha të reja. Një vajzë 34-vjeçare ka humbur jetën.

Sallabanda: Është e vërtetë se në Shqipëri u bënë në mënyrë të gabuar masat liruese. E përsëris që masat në fillim ishin të mira, por  më pas u liruan në mënyrë jo të mençur. Situata në Shqipëri nuk mund të bëhet shembull për situatën në të gjithë botën sepse nuk është ashtu.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat