Berzh ul vlerësimin për Shqipërinë/ Në 2020 ekonomia, minus 9 %, në 2021 rritet vetëm me 4.5%

Shqipëria

Berzh ul vlerësimin për Shqipërinë/ Në 2020 ekonomia, minus 9 %, në 2021 rritet vetëm me 4.5%

Më: 1 tetor 2020 Në ora: 15:32
Foto

Shpresat për të pasur më shumë të ardhura dhe një rimëkëmbje të shpejtë të ekonomisë janë zbehur edhe për vitin e ardhshëm, pasi Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka ulur ndjeshëm parashikimin për rritjen ekonomike gjatë 2021.

Sipas raportit të fundit të BERZH ekonomia e vendit pas rënies së fortë prej 9% që pritet të ketë vit për shkak të pandemisë Covid-19 do të rritet me vetëm 4.5%, nga 12% që ishte parashikuar në vlerësimin e majit duke e ulur atë me 7.5 pikë përqindje.

Korrigjimi i këtij treguesi nga institucioni financiar ndërkombëtar vjen menjëherë pas rishikimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar vetëm pak ditë më parë, sipas të cilit ekonomia e vendit këtë vit do të tkurret me 7.5%.

Shqipëria dhe Mali i Zi janë dy vendet që pritet të kenë rënien më të madhe ekonomike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, kjo për shkak të varesidë së lartë qe dy vendet kanë nga turizmi, i cili ka nje peshë të konsiderueshme.

Kufizimi i masave për shkak të pandemisë bëri që sektori të pësojë një goditje të madhe në të gjithë zinxhirin e tij, me një tkurrje të fortë të numrit të vizitorëve te huaj edhe në kulmin e sezonit e rrjedhimisht edhe në më pak të ardhura të gjeneruara nga ky burim.

Vende e tjera të rajonit si Maqedonia e Veriut dhe Kosova pritet të kenë një rënie ekonomike me -5%, teksa duket se me pak krizën e Covid-19 do ta buajë Serbia pasi sipas raportit të BERZH tkurrja përllogaritet në -3.5%.

Perspektiva për rimëkëmbjen e ekonomisë në një të ardhme të afërt duket pesimiste, nisur edhe mga shifrat e publikuara një ditë më parë nga Instat sipas të cilit ekonomia pësoi rënie me 10.2% gjatë tremujorit të dytë krahasuar me një vit më parë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat