Kryeministri Rama: Vaksina anti-COVID fillimisht për mjekët, mësuesit e policët

Shqipëria

Kryeministri Rama: Vaksina anti-COVID fillimisht për mjekët, mësuesit e policët

Më: 25 nëntor 2020 Në ora: 08:46
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka kërkuar nga qytetarët që të respektojnë masat anti Covid për të shmangur mbylljen e vendit.

Shefi i qeverisë deklaroi se shkollat nuk janë vatra infektimi ndërsa mohoi që të jenë larguar nga puna mësuesit që kanë rezultuar pozitiv me virusin.

Në një kohë kur shifrat e personave të prekur me COVID-19 në Shqipëri po rriten dita-ditës, kryeministri Edi Rama ka kërkuar nga qytetarët që të respektojnë rregullat e vendosura nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, për të shmangur një karantinë të dytë.

 “Të shmangim qoftë kalimin e spitaleve në një mbingarkesë që do ta bënte praktikisht tejet të vështirë trajtimin normal në vazhdimësi të të gjithë atyre që janë në nevojë. Dhe qoftë mbylljen e përgjithshme”, tha kreu i qeverisë.

Për kreun e ekzekutivit, shkollat nuk janë vatra infektimi.

 “Se çfarë hapet dhe se çfarë mbyllet, kjo është përgjegjësi e autoriteteve tona”, u shpreh ai më tej.

Rama ka mohuar akuzat se mësuesit po humbasin vendin e punës kur rezultojnë pozitiv me COVID-19.

 “Një absurditet i madh që thuhet nga cilido qoftë që e ka thënë që nëse raportohen me COVID humb vendin e punës, ky është absurd, një absurd që mund të tingëllojë normal në aktet absurde të teatrit të Lulzim Bashës”, theksoi ai më tej.

Kryeministri deklaroi se personeli shëndetësor, mësuesit dhe punonjësit e policisë do të jenë kategoritë që do të përfitojnë fillimisht nga vaksina anti-covid në momentin që do sigurohet.

Gjatë konferencës me fokus tek ekonomia në arsim, shefi i qeverisë deklaroi se po ndërtohen 155 objekte arsimore në 11 bashki, me vlerë 18.5 mld lekë, ku 7.5 mld janë nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër nga donatorët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat