Vetëvrasjet e pacientëve me COVID, pedagogu: Raportimi i gabuar në media mund të nxisë akte të tjera

Shqipëria

Vetëvrasjet e pacientëve me COVID, pedagogu: Raportimi i gabuar në media mund të nxisë akte të tjera

Më: 30 nëntor 2020 Në ora: 15:17
Erlis Çela

Pacienti i pestë me COVID-19 i dha funnd jetës sot duke u hedhur nga lartësia në një nga spitalet COVID. Por a duhen raportuar rastete e vetëvrasjeve në media dhe si duhet bërë kjo? Pedagogu Erlis Çela tha për Euronews Albania se raportimi i gabuar në media nga poralet amatore ka një impakt shumë negativ dhe sipas studimeve është vërtetuar se mund të nxisë të tjera akte vetëflijimi.

Teksa theksoi se rastet e vetëvrasjeve tek të sëmurët me COVID janë shumë specifike dhe lidhen në një farë mënyre edhe me ankthin dhe stresin që po përjetojnë të gjithë njerëzit për shkak të pandemisë, pedagogu Çela u shpreh se mosraportimi nuk është zgjidhje, por ngjarja duhet raportuar në mënyrë profesioniste duke mos u përqendruar tek viktima apo duke dhënë detaje nga jeta e tij.

“Kur përqendrohemi tek mënyra si është kryer akti ne mund të nxisim të tjerët që të ndjekin të njëjtën skemë. Duke mos dhënë detaje, duke respektuar ndjeshmërinë e familjarëve mund ta raportojmë ngjarjen, por me kujdes. Gazetarët e terrenit duhet të përmbahen duke mos dhënë detaje, nga ana tjetër duhet rritur transparenca.

Vetëvrasja dallon nga ngjarjet e tjera pasi lidhet me probleme të shëndetit mendor, në rastin e vetëvrasjeve për shkak të COVID është më komplekse pasi ka lidhje me stresin dhe ankthin që po përjetojnë të gjithë në këtë kohë pandemie.

Zgjidhja në këtë rast nuk është mosraportimi, por duhet vetëpërmbajtje nga ana e mediave në mënyrë profesioniste dhe të kujdesshme, mundësisht të shoqëruara me një informacion se ku mund të marrin ndihmë, një linjë këshillimi kundër vetëvrasjeve”, tha pedagogu Çela.

Ai bëri thirrje që mediat tradicionale të shërbejnë si model për raportimin e ngjarjeve të tilla, duke shprehur bindjen se do të vijë një kohë kur raportimet problematike nga mediat amatore do të dënohen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat