Rama asnjë mesazh për Marko Bellon, shpërthejnë dy socialistet e vjetra: Turpi iu mbuloftë!

Shqipëria

Rama asnjë mesazh për Marko Bellon, shpërthejnë dy socialistet e vjetra: Turpi iu mbuloftë!

Më: 5 dhjetor 2020 Në ora: 10:52
Marko Bello

Ndarja nga jeta e ish-ministrit dhe ish-deputetit socialist Marko Bello, është shoqëruar me ‘përplasje’ mes gardës së vjetër së kësaj partie dhe drejtuesve aktualë.

Ish-ministri Arben Malaj i quajti “hipokritë” disa nga ata që e ngushëlluan, si Majko, Ruçi dhe Balla .

Sakaq, kritika ka pasur edhe në mungesë të një mesazhi ngushëllimi. Kryeministri Edi Rama nuk ka asnjë mesazh formal, të paktën, në ditën që Marko bello ndërroi jetë.

Ish-anëtarja e Kryesisë së PS, pedagogia e njohur Edlira Haxhiymeri shprehet se ky është një trup për Partinë Socialiste.

“Mos e kërko ngushëllimin e tyre! Ata nuk kanë as zemër, as mendje, as mirënjohje, as respekt! Për më tepër, ata të ndotin me fjalët e tyre. Turpi i mbuloftë!”,– shkruan në një postim në Facebook, Haxhiymeri.

Komenti i Haxhiymerit është bërë pas postimit të Eva Allushit, edhe ajo ish-anëtare e Kryesisë së PS dhe ish-drejtuese e gazetës “Zëri i Popullit”. “Cilët jeni ju mor burra që nuk nxirrni dot nga shkulmi i shpirtit tuaj të vrerosur kushedi përse, një ngushëllim njerëzor?! Në cilat hone të thella ju ka humbur njerzillëku. Cili inat ju ka vënë përfund e ju ka çuar në humbëtira pa krye e pa fund?! Cili inat ju ka pushtuar mendje e shpirt?? Inati për të poseduar çfarë? Një grusht ajër? Apo një grusht dhe?!”’,- shprehet Allushi në një reagim që i referohet heshtjes së Edi Ramës për ndarjen nga jeta të ish-deputetit të PS, Marko Bello.

Një ditë më parë pas komplikacioneve me Covid, Marko bello ndërroi jetë në Turqi, ku ishte i shtruar prej disa ditësh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat