I dha 50 euro policit për të kaluar në Shengen, si e pësoi 36-vjeçari në Rinas

Shqipëria

I dha 50 euro policit për të kaluar në Shengen, si e pësoi 36-vjeçari në Rinas

Më: 7 dhjetor 2020 Në ora: 16:26
Ilustrim

Një 36-vjeçar është arrestuar në pikën kufitare të Rinasit, pasi ka tentuar të korruptojë punonjësin e policisë.

Sipas asaj që njofton policia, i ndaluari kishte plotësuar ditët e qëndrimit në zonën Shengen dhe për të mundësuar kalimin i kishte ofruar oficerit të policisë 50 euro.

Shtetasi me iniciale F. A., rreth orës 09:30 është paraqitur në aeroport, për të udhëtuar drejt një vendi të BE-së. Pas mbërritjes në kabinën e kontrollit kufitar, ai ka paraqitur pasaportën e tij si dokument udhëtimi dhe ‘boarding pass’.

Nga ana e efektivëve, i është kërkuar një dokumentacion shtesë që të justifikonte qëllimin e udhëtimit të tij, pasi u konstatua se kishte konsumuar afatin e qëndrimit në zonën Shengen. Por i riu nuk ka pasur ndonjë dokument qëndrimi në vendet e zonës Schengen dhe për këtë arsye i është refuzuar dalja nga Shqipëria.

Pas këtij momenti, 36-vjeçari ka nxjerrë një kartëmonedhë  50 euro, me të cilën ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë Kufitare.

Menjëherë, këta të fundit kanë bërë arrestimin në flagrancë të tij, për veprën  penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Policia Kufitare apelon për të gjithë ata qytetarë që duan të qarkullojnë drejt vendeve të BE-së, që të plotësojnë të gjitha kriteret për të qarkulluar dhe të mos tentojnë të korruptojnë punonjësit e Policisë, pasi do përballen me ligjin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat