Shenjat klinike të Covidit te fëmijët, mjekja: Mushkëria, e para që preket

Shqipëria

Shenjat klinike të Covidit te fëmijët, mjekja: Mushkëria, e para që preket

Më: 9 dhjetor 2020 Në ora: 13:35
Gjeorgjina Kuli

Shefja e Shërbimit të Pediatrisë Infektive në QSUT,  Prof. Dr. Gjeorgjina Kuli, deklaron se deri më tani, nga fillimi i pandemisë në Shqipëri, janë kuruar nga Covid 70 fëmijë, ndërsa vijojnë të jenë të shtruar në spital 10 vogëlushë të infektuar.

Ndërsa pohoi se fëmijët e kalojnë në formë më të lehtë koronavirusin, mjekja pranoi që ka pasur dhe raste të vështira.

Në një intervistë për ‘ABC’, Kuli tha se nga marsi e deri më tani, ka pasur një jetë të humbur nga Covid të një fëmije 16 muajsh, ndërsa një tjetër, i cili ka qëndruar për disa ditë i intubuar, fatmirësisht tashmë është mirë.

“Kemi 10 fëmijë të shtruar tashmë me Covid, por që nga fillimi e deri më tani, numri i tyre të shtruar në spital, shkon deri në 70. Kemi parë që forma të rënda, koronavirusi ka shkaktuar edhe te moshat e reja dhe e njëjta gjë vlen të thuhet dhe te fëmijët me bronko-pneumoni, por dhe te fëmijët me sëmundje të ndryshme metabolike, me probleme të ndryshme gjenetike dhe me probleme zemre".

Ajo shtoi se në oksigjen janë futur të gjithë moshat, duke filluar nga një muajsh, deri në 14 vjeç, duke theksuar se ka pasur dhe një fëmijë të intubuar në repartin e terapisë infektive dhe fatmirësisht pati ecuri të mirë dhe u shërua.

"Duhet të kemi parasysh se rasti rastit nuk i ngjan, ka një udhërrëfues, ka disa insufiçenca bazë, por nuk ka një preparat për të menaxhuar situatën. Terapia që përdoret te fëmijët, është e njëjtë dhe me të rriturit, ne përdorim antibiotiko-terapinë, ka dhe disa antibiotikë që ne nuk i përdorim në rastet e fëmijëve”, ka thënë doktoresha.

Ajo ka dhënë detaje në lidhje me shenjat klinike që koronavirusi lë te fëmijët dhe ka theksuar se është e rëndësishme që prindërit të jenë të kujdesshëm ndaj shenjave që shfaqin ata, siç është temperatura apo vështirësitë në frymëmarrje, shenja për të cilat duhet të konsultohemi me mjekun përkatës.

“Deri më tani dhe pse është pak shpejt për të folur, sëmundja nuk lë pasoja te fëmijët. Në këtë situatë një shqetësim i vogël duhet të na shkojë mendja mos jemi të prekur nga Covid, pasi nuk ka një shenjë të veçantë dalluese. Humbja e nuhatjes dhe e shijes te fëmijët deri në 1 vjeç janë të padallueshme, shenjat e tjera janë si të gjithë viruset respiratore. Nëse fëmija ka temperaturë, ju duhet  t’iu shkojë mendja se është Covid, – vijoi Kuli. – Deri më tani, rastet janë të vatrave familjare. Nëse maska themi se është e detyrueshme te fëmijët 11 vjeç, duhet ta përdorim në ambiente të hapura. Vaksina e gripit është një tjetër element i rëndësishëm mbrojtës".

Sipas saj, nëse fëmija s’ka bajame apo infeksion urinar, është një indikacion për t’u konsultuar me mjekun, se simptomat janë të njëjta si te të rriturit.

"Nga eksperienca deri më tani ka një prekje të lehtë të mushkërive, por që kalon njëkohësisht me infeksionin dhe nuk lë pasoja apo çrregullime që mund të bëhen shkak për sëmundje të tjera. Mushkëria është e para që preket, nga temperatura dhe nga pamjaftueshmëria e furnizimit me oksigjen. Kemi ndryshim të kriprave në organizëm që na sjell pasojat të dëmtimit", – përfundon mjekja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat