“Koha për restart”, Meta: Të gjithë bashkë kundër çdo lloj tendence autokratike

Shqipëria

“Koha për restart”, Meta: Të gjithë bashkë kundër çdo lloj tendence autokratike

Më: 10 dhjetor 2020 Në ora: 12:21
Ilir Meta

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, presidenti i Republikës Ilir Meta, përmes një mesazhi në rrjetet sociale shprehet se kjo ditë na kujton sot se lufta për mbrojtjen e tyre është një proces i pandalshëm dhe se ende ka shumë për të bërë për garantimin e plotë të tyre, veçanërisht në kushtet e pandemisë COVID-19, kur nën justifikimin e masave parandaluese janë ligjëruar edhe masa shtrënguese, që në praktikë kufizojnë së tepërmi liritë dhe të drejtat tona.

Presidenti nuk kursen mesazhet ndaj qytetarëve shqiptarë teksa shprehet se: “Sot më shumë se kurrë, duhet të jemi të gjithë bashkë, kundër çdo lloj tendence autokratike, që vë në rrezik sistemin demokratik të vlerave dhe të drejtave që duhet të gëzojë çdo shqiptar“.

Mesazhi i plotë:

“Liri do të thotë epërsi e të drejtave të njeriut kudo. Mbështetja jonë shkon për ata, që luftojnë për të fituar ato të drejta dhe për t’i mbajtur ato. Forca jonë është uniteti i qëllimit të përbashkët. Për atë koncept të lartë nuk mund të ketë fund përveç fitores.” – FRANKLIN DELANO ROOSEVELT –

Dita e të Drejtave të Njeriut, na kujton sot se lufta për mbrojtjen e tyre është një proces i pandalshëm dhe se ende ka shumë për të bërë për garantimin e plotë të tyre, veçanërisht në kushtet e pandemisë COVID-19, kur nën justifikimin e masave parandaluese janë ligjëruar edhe masa shtrënguese, që në praktikë kufizojnë së tepërmi liritë dhe të drejtat tona.

Megjithë sfidat, që po kalon shoqëria, për asnjë arsye, nuk duhet të lejojmë heqjen dorë nga ushtrimi i plotë i të drejtave themelore, që i garanton Kushtetuta, veçanërisht nga përkushtimi për të garantuar të drejtën e jetës për të gjithë ata të cilët kanë nevojë për kujdesin e domosdoshëm shëndetësor në këto momente të vështira.

Populli shqiptar është zotuar në ligjin themeltar për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare, si dhe për prosperitetin e të gjithë kombit, për paqen, mirëqenien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror.

Të drejtat dhe liritë themelore nuk janë vetëm koncepte të shkruara në letër. Ato janë të drejta absolute, që kushdo, pa asnjë dallim, ka detyrimin t`i respektojë dhe mbrojë.

Sot më shumë se kurrë, duhet të jemi të gjithë bashkë, kundër çdo lloj tendence autokratike, që vë në rrezik sistemin demokratik të vlerave dhe të drejtave që duhet të gëzojë çdo shqiptar.

KOHA PËR RESTART!

Së bashku do t’ia dalim se rrugë tjetër nuk mund të ketë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat