30-vjetori i PD/ Basha: Ne u ngritëm nga hiri, ne sollëm demokracinë

Shqipëria

30-vjetori i PD/ Basha: Ne u ngritëm nga hiri, ne sollëm demokracinë

Më: 11 dhjetor 2020 Në ora: 11:04
Lulzim Basha

Sot mbushen 30 vite nga themelimi i Partisë Demokratike, partisë së parë opozitare të krijuar pas rrëzimit të regjimit komunist në Shqipëri.

Kryedemokrati Lulzim Basha ka bërë një postim me anë të një video ku jepen mesazhe, ku shprehet se u ngritën nga hiri dhe sollën demokracinë shqiptare. Ndërsa nuk ngurron që të theksojnë se nën drejtimin e PD-së u arrit liberalizimi i vizave dhe anëtarësimi në NATO.

"30 vjet më parë ne u ngritëm nga hiri i një vendi të dërrmuar. Bëmë gjithçka nën shembullin e heronjve, zërat e të cilëve kërkuan ndryshimin që ne sollëm. Ne kemi arritur kaq shumë. Ne sollëm demokracinë, ne hapëm vende pune, ne zhvilluam ekonominë, ne ngritëm infrastrukturën anembanë vendit, ne futëm Shqipërinë në NATO, ne bëmë të mundur lëvizjen pa viza. Ne jemi zëri i njerëzve që nga dita kur rrëzuam diktaturën komuniste, që nga ditët në shesh ne jemi në shërbimin tuaj. 30 vjet për ju, 30 vjet për demokracinë, 30 vjet për Partinë Demokratike, gjithmonë zëri i shqiptarëve", thuhet në këtë video mesazh.

Partia Demokratike gjatë këtyre 30 viteve ka qëndruar në 12 vite pushtet në këto demokraci. Në vitin 1992 e mori për herë të parë pushtetin, duke e mbajtur deri në 1996. Në zgjedhjet e 26 majit të këtij viti pati manipulime dhe u kontestua rezultati i zgjedhjeve. Kjo shkaktoi më pas rënien e pushtetit të PD-së, që erdhi si rezultat i skemave piramidale. Më pas erdhi viti i mbrapshtë i 1997-ës.

Pas trazirave të shkaktuara, presidenti i asaj kohe, Sali Berisha vendos të japë dorheqjen dhe të pranojë një marrëveshje mes partive politike, më 9 mars të atij viti, ndërsa iu hap rruga për një qeveri e Pajtimit Kombëtar, e kryesuar në atë kohë nga Bashkim Fino, një kryetar i bashkisë së Gjirokastrës.

Në qershor të 1997 u bënë zgjedhje të reja dhe në pushtet erdhi Partia Socialiste me kryeministër Fatos Nanon. PS e mbajti deri në 2005-ën pushtetin, për ta marrë më pas Partia Demokratike që e mbajti për tetë vite, deri në 2013-ën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat