Plaurent Dervishaj do të ekstradohet nga Dubai, edhe 2 persona në kërkim

Shqipëria

Plaurent Dervishaj do të ekstradohet nga Dubai, edhe 2 persona në kërkim

Më: 12 dhjetor 2020 Në ora: 15:16
Plaurent Dervishaj

Pas arrestimit të 48 vjeçarit Plaurent Dervishaj, nisin procedurat për ekstradimin e tij nga Dubai.

Policia e shtetit informoi sot, 12 dhjetor 2020, se arrestimi i tij është bërë nga homologët e Interpol ABU DHABI (Emiratet e Bashkuara Arabe), pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar nga ana e ZQK Interpol Tiranës, mbi urdhër-arrestin ndërkombëtar të lëshuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar mbi bazën e vendimit të datës 02.12.2020 nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, e cila ka vendosur caktimin e masës së sigurimit ‘’Arrest në burg’’ për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja e paligjshme e armëve të zjarrit me pasoja të rënda”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Vrasja në rrethana të tjera specifike ndaj dy ose më shumë personave e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal” informon policia e Tiranës.

“Asgjë nuk harrohet”

Arrestimi i tij është bërë në kuadër të operacionit “Asgjë nuk harrohet”

Në 8 dhjetor 2020 SPAK ka konfirmuar se për ekzekutimin e Saliut në superstradën Tiranë Durrës dhe për vrasjen e biznesmenit Vajdin Lamaj janë akuzuar Emiliano Shullazi, Indrit Taullai, Viktor Ymeraj, Luftar Reçi,  Plaurent Dervishaj dhe Lulzim Berisha.

Gjithashtu policia bën me dije se vijon operacioni i koduar “Asgjë nuk harrohet” për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Vrasjet e bujshme

Dy vrasjet e bujshme të 15 viteve më parë janë zbardhur nga SPAK vetëm pas dëshmisë së një të penduari.

Ka qenë Reçi i cili ka rrëfyer momentin kur ka marrë porosinë për ekzekutimin e Saliut, vrasje e bërë sipas tij se bashku me Taullain.  

Shkak për kërkesën, sipas dëshmisë, kanë qenë përplasjet mes grupeve dhe çështje të trafiqeve.

Dosja ishte mbyllur rreth 5 vite më parë për mungesë të provave, teksa u rihap pas provave të reja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat