Mbyllet protesta/ Qytetarët hedhin shashka dhe gurë, policia përgjigjet me gaz

Shqipëria

Mbyllet protesta/ Qytetarët hedhin shashka dhe gurë, policia përgjigjet me gaz

Më: 12 dhjetor 2020 Në ora: 19:47
Pamje nga protesta

(E plotësuar 21:20) - Protesta e sotme në kryeqytet, në ditën e katërt të saj, nuk ofroi shumë. Nisja me vonesë e saj ishte një lloj paralajmërimi.

Ndërsa policia nisi shoqërimet me policë civilë pa nisur mirë protesta.

Me pjesëmarrje më të paktë në numër, ata nisën marshimin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe pas u drejtuan drejt Drejtorisë së Policisë.

Rruga nuk shkoi qetë, hodhën gurë, shashka në drejtim të policisë, ndërsa dëmtuan edhe sinjalistikën.

Pa mbërritur te drejtoria ata u shpërndanë me gaz.

Më pas policia nisi një aksion nëpër rrugica duke bërë shoqërimin e tyre.

Disa u ndaluan nëpër pallate, të tjerë në rrugë.

Shoqërimet vijuan deri në mbyllje të protestës, rreth orës 21:00.

 

(20:30) - Mbyllet paqësisht protesta për vrasjen e Klodjan Rashës në Durrës, e cila ka zgjatur më pak se në rrethet e tjera.

Një situatë krejt ndryshe nga çfarë kemi parë gjatë protestave në Tiranë dhe qarqe të tjera të vendit, na është shfaqur sot në Durrës.

Të rinjtë, të cilët kanë dalë në shenjë proteste për vrasjen e Klodjan Rashës, pas rreth një ore protestë paqësore, kanë përqafuar policët dhe u kanë dhënë atyre dorën, duke bërë kështu “paqe” me to.

Nga ana tjetër në Tiranë, në ditën e katër të protestës, protestuesit kanë vijuar të thyejnë sinjalistika rrugore dhe janë nisur në drejtim të drejtorisë së policisë Tiranë, ndërsa kanë vijuar thirrjet për largimin e Ardi Veliut, si dhe u kanë kërkuar policsëve që të heqin kapelet.

Kurse të rinjtë në Durrës, si duket nuk kanë përfshirë të gjithë policinë si të përfshirë në këtë ngjarje, të rëndë, ku natën e 8 dhjetorit, 25 vjeçari Rasha është qëlluar nga një polic, pasi ky i fundit e ka ndjekur sepse kishte shkelur orën policore.

Nisur nga kjo video ndoshta mund të themi se Durrësi është bërë shembull sot për mënyrën se si ka protestuar. Kjo më shumë i ngjan një marshimi, sepse nuk ka pasur dhunë dhe as përplasje me policinë.

***

Prej orës 18:00 vazhdon protesta e qytetarëve për vrasjen e Klodianit, e cila fillimisht nisi paqësisht.

Vetëm pak pas nisjes protestuesit nisën marshimin e tyre, i cili u shoqërua me shkuljen e tabelave dhe sinjalistikave rrugës, hedhjes se kapsollave dhe thirrjeve ndaj policisë.

Po i menjëhershëm ishte dhe reagimi i policisë e cila i shpërndau ata me gazlotjellës.

Pas kësaj protestuesit u ndanë dhe për momentin shumë prej tyre janë ndarë në grupe të vogla nëpër lagje.

Image

***

Policia ka shpërndarë turmën me gaz lotsjellës në Tiranë, ndërsa ka nisur edhe arrestimet e para.

“ABC” sjell pamjet e momenteve kur disa të rinj janë arrestuar në bulevard. Turma më pas u nis për te drejtoria e policisë së Tiranës, por efektivët ndërhynë duke i shpërndarë.

Protestuesit kërkojnë drejtësi për Klodian Rashën, largimin e Ardi Veliut, por edhe lirimin e protestuesve që janë arrestuar në tre ditët e fundit.  Protestuesit nuk i kënaqi dorëheqja e Sandër Lleshajt duke kërkuar edhe “kokën” e Ardi Veliut, drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit.

***

Është tensionuar situata në protestën e katërt për vrasjen e Klodian Rashës. Policia ka përdorur një tjetër taktikë ditën e sotme, duke e lejuar grupin e protestuesve të marshojnë në drejtim të rrugës ‘Myslym Shyri’ e më tej drejt Drejtorisë së Policisë për t’i rrethuar nga të gjitha anët duke hedhur drejt tyre gaz lotsjellës e duke i neutralizuar.

Një pjesë e protestuesve janë bllokuar brenda një pallati në këtë zonë ku edhe janë neutralizuar e më pas shoqëruar nga policia. Gjendja është paraqitur shumë kaotike në rrugët e kryeqytetit ku janë dëgjuar vazhdimisht kapsolla dhe është parë të hidhet një sasi e madhe gazi lotsjellës në drejtim të protestuesve.

Gazetari i Euronews Albania, Merin Maçi tha se policia ka marrë në dorë rrugën ‘Myslym Shyri’ duke mos lejuar asnjë njëri të kalojë në atë zonë, ndërkohë që një pjesë e efektiveve janë futur nëpër rrugica ku mendohet të ketë edhe protestues të tjerë që mund të jenë fshehur.

Image

Policia ka hedhur gaz lotsjellës në rrugën ‘Myslym Shyri’ deri tek pjesa që të lidh me Drejtorinë e Policisë, ku ishin drejtuar protestuesit.

Nga lëvizjet e efektivëve ka një orientim drejt rrugëve dytësore për t’i kontrolluar, ndërsa rruga kryesore është nën kontrollin e policisë, ku është vendosur edhe një autobot me ujë. Duket se policia është e vendosur të mos lejojë tubime ditën e sotme, ndërsa duket se ia ka arritur t’i përçajë protestuesit.

Nis dita e katër e protestës për vrasjen e Klodian Rashës 

Pak pas orës 18:00 të mbrëmjes së sotme ka nisur protesta e katërt për vrasjen e Klodian Rashës nga një efektiv policie, që sikundër protestat e tri ditëve pararendëse, është njoftuar përmes rrjeteve sociale. Një numër i konsiderueshëm protestuesish kanë nisur marshimin nga bulevardi 'Dëshmorët e Kombit' në drejtim të Ministrisë së Brendshme.

Nisur nga përplasjet e regjistruara në protestat e mëparshme për të garantuar rendin dhe sigurinë në terren janë të angazhuar rreth 1000 efektivë.

Në akset që lidhen me Ministrinë e Brendshme dhe Kryeministrinë pika kontrolli nga policia për të parë nëse protestuesit kanë sende të forta apo mjete piroteknike.

Prej tri ditësh në kryeqytet dhe në disa qytete të tjera të vendit është protestuar duke kërkuar drejtësi pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie.

Protestat shpesh kanë qenë të dhunshme dhe janë shoqëruar me shkatërrim dhe dëmtim të institucioneve publike nga ana e protestuesve që kanë qenë kryesisht të rinj, ndërkohë që ka pasur edhe të plagosur nga radhët e policisë dhe protestuesve.

***

Me thirrjen “Drejtësi për Klodianin”, qytetarët janë mbledhur për të katërtën natë radhazi në kryeqytet.

Më të paktë në numër, ata janë grumbulluar në bulevard afër Kryeministrisë.

Protestuesit janë kryesish të rinj.

Organizimi është bërë përmes rrjeteve sociale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat