Arrestohet 37 vjeçari në Shqipëri, i dyshuar për ‘Pornografi në rrjet me të mitur’

Shqipëria

Arrestohet 37 vjeçari në Shqipëri, i dyshuar për ‘Pornografi në rrjet me të mitur’

Më: 13 dhjetor 2020 Në ora: 18:08
Foto ilustrim

Policia e shtetit shqiptar sot informoi se pas një hetimi dyvjeçar u identifikua dhe godit një rast, duke u vënë në pranga një 37-vjeçar.

Policia informoi se nga njësia C – Hetimi i Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit u finalizua operacioni policor “Zbulimi”.

“Pas një hetimi dyvjeçar duke vlerësuar maksimalisht situatën kriminale të krijuar, Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike ka kryer hetime të plota në lidhje me informacionin e marrë nga partnerët ndërkombëtarë për veprën penale “Pornografia” në rrjet, me të mitur.”, bëri të ditur policia.

Pas kryerjes së hetimeve, siç informoi policia, njësia C – Hetimi i Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë ekzekutoi urdhrin e ndalimit të Prokurorisë së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë për shtetasin: I. K., 37 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pornografia” në rrjet, me të mitur. Materiali hetimor i ndjekur nga Njësia C – Hetimi i Krimeve Kibernetike kishte të bënte me dyshime të arsyeshme se ky shtetas kishte krijuar një profil në një rrjet social, me të dhëna të rreme.

Gjatë komunikimit me shtetas të huaj, nëpërmjet këtij rrjeti social, ky shtetas ka konsumuar elemente të kësaj vepre penale. Në cilësinë e provës materiale, siç bëri të ditur policiua, u sekuestrua një aparat celular. Ndërkohë, po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal.

“Policia e Shtetit apelon për më shumë kontroll të prindërve ndaj fëmijëve gjatë përdorimit të rrjeteve sociale dhe për çdo rast të abuzimit në rrjetet sociale me fëmijët e tyre, qytetarët të denoncojnë pranë Njësisë C për Hetimin e Krimeve Kibernetike në adresën e postës elektronike [email protected].”, bëri të ditur më tutje policia përmes njoftimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat