“Poshtë diktatura, poshtë komunistët!” 2 orë, protestë paqësore në Tiranë

Shqipëria

“Poshtë diktatura, poshtë komunistët!” 2 orë, protestë paqësore në Tiranë

Më: 14 dhjetor 2020 Në ora: 18:57

(E plotësuar 21:06) - E hëna nisi e paqtë. Shoqërimet e shumta nga policia në protestat e kaluara por edhe deklarata paralajmëruese e policisë pak orë para protestës për të shmangur tubimet e paligjshme në kohë pandemie dha rezultatin e vet në ditën e 6 të tubimeve.

Të paktë në numër, protestuesit kësaj herë kishin më shumë për të artikuluar sesa vepruar.

Mbledhja nisi në sheshin “Skënderbej” dhe më pas u zhvendosën drejt bulevardit me stacion final Kryeministrinë ku qëndruan për disa minuta.

Thirrjet ishin të larmishme por kërkesa kryesore ishte dorëheqja e kreut të policisë Ardi Veliu, të cilin e shohin si faktor në tentativën e policisë për të manipuluar vrasjen e të riut Klodian Rasha.

Pas Kryeministrisë ata u zhvendosën sërish drejt sheshit “Skëndërbej” dhe më pas u shpërndanë.

Nuk pati kapsollë, as gurë, as gaz, as ujë dhe as konfrontime me policinë.

Protesta nisi rreth orës 18: 30 dhe përfundoi në 20:30.

20:33 “Poshtë diktatura, poshtë komunistët!” Protestuesit marshojnë drejt sheshit

Për të gjashtën ditë me radhë qytetarët protestuan me kërkesë kryesore, dorëheqjen e kreut të policisë Ardi Veliu për vrasjen e të riut Klodian  Rasha nga efektivi i policisë.

Me thirrjet “Poshtë diktatura” dhe “Poshtë komunistët”, protestuesit zhvendosen nga Kryeministria drejt sheshit “Skënderbej”

19:12 Revolta e të riut: “Kur popullit t'i shkojë thika në kockë, këta do të shkojnë në djall!”

Të rinjtë shprehen kundër dhunimit të protestusve gjatë shoqërimit nga policia.

Duke folur nga bulevardi, ky i ri thotë se çdo akt dhunë duhet të marrë përgjigje nga drejtësia dhe jo shkopi i gomës së policit.

Më tej ai shton se sa kohë njerëzit do të vuajnë do të ketë dhe protesta, ndërsa ka edhe një paralajmërim për klasën politike.

“Kjo nuk është më një protestë për një jetë njeriu, është për jetën e të gjithëve. Është për të drejtat tona bazë. Nëse thyhet një tabelë të ndëshkon drejtësia dhe jo shkopi i gomës së policit. Sa kohë njerëzit vazhdojnë dhe vuajnë do të ketë gjithmonë protesta. Nuk mund t’ja dalësh popullit me dhunë. Nuk na ka shkuar thika apo në kocka, por në momentin që ajo gjë do të ndodhë këta do të shkojnë në djall”.

19:09 Revolta e të rinjve me qeverinë: Sa herë protestojmë na bëjnë me probleme psikike, problemi duhet parë më lart

Drejtësia për 25-vjeçarin Klodian Rasha është vetëm një nga arsyet që ka nxjerrë të rinjtë shqiptarë në rrugë.

Pasi siç tregojnë ata për Ora News, këtu ka problematika të shumta që vështirësojnë jetën e tyre çdo ditë dhe për të cilat duhet ngritur zëri.

Nuk bien dakord as me deklaratën e Ministres së Arsimit për trajtim me psikolog të të miturve që kanë marrë pjesë në protestë, pasi sipas tyre problemet psikike duhen parë më lart, te qeverisja.

“Arsyeja e parë është që duhet të shkarkohet drejtori i policisë Ardi Veliu se kanë mashtruar me deklaratat për vrasjen e të riut.  Tre deklarata kontradiktore. Pastaj arsyet  nuk kanë fund, borxhi publik, ikja e rinisë, koncesionet po bëjnë kërdinë, paraja publike është vjedhur në mënyrë të tmerrshme. Këtu vjen policia dhe thotë shpërndahuni ndërsa qendrat tregtare janë plot.

Policia ka qenë e egër. Shumica e të protestuesve janë të rinj.Përveçse policia del me uniforma turke, përdor dhunë ndaj të miturve. Preteksti që na shpërdajnë ne është Covidi ndërsa në qeli janë 10 veta në 10 metër katrorë. Ministrja e Arsimit doli sot dhe tha do të trajtojmë të miturit me psikolog. Këtu sa herë njerëzit dalin në protesta janë me probleme psikike. Nuk shkon diçka me qeverinë, problemet janë më lart”.

“Gjëja e parë që kërkojmë është drejtësi për Klodianin. Mbi të gjitha jetojmë në një vend ku dita-ditës po zhduket rinia”.

19:07  Adoleshenti denoncon: Më shoqëruan dhe dhunuan mbrëmë duke ikur, sot do protestoj

Një 17-vjeçar denoncoi për Ora News se ishte shoqëruar një natë më parë nga policia edhe pse pretendon se nuk ka qenë në protestë.

Adoleshenti tha se gjatë shoqërimit është dhunuar nga policia.

E për këtë fakt, ai tha se sonte ka dalë të protestojë.

“Isha duke ikur te Zogu i Zi, aty ishte policia.U shpërndanë të gjithë, më kapën, më gjuajti shpullë njëri nga ata, më shanë dhe ofenduan. Kur ika në komisarit pashë dorën që më kullonte gjak, e kam me fashë. Më kanë mbajtur 3-4 orë. Nuk isha në protestë.Kishte shumë të shoqëruar. 8-9 persona në qeli. Pas tre orësh lajmëruan familjarët që erdhën dhe më nxorën.Sot do të dal të protestoj, edhe gjak të dershet këtu”.

Dita e gjashtë, protestuesit: Nuk rrihen fëmijët, Rama Sadist, Ardi Veliu mafioz, të shkarkohet

Qytetarët kanë filluar të mblidhen në sheshin “Skënderbej” për të protestuar në ditën e 6 të protestës pas vrasjes së Klodian Rashës.

Në disa prononcime të marra nga Ora News në shesh, ata shprehen se kanë dalë për të protestuar për ngjarjen dhe bëjnë thirrje për shkarkimin e Ardi Veliut.

Protestuesi: Na kanë kapur në shpulla dhe grushta. A jeni shtet e çfarë jeni? Jeni drogaxhi. Edi Rama sot e vret dhe nesër e qan.

Protestuesja: Unë nuk rrija dot në shtëpi kur shihja në TV që rriheshin fëmijët. Këtej nxjerrin ligje për të mbrojtur fëmijët këtej i vrasin. Ky është kriminel, ky është sadist. Ai u tërhoq i vdekur, do të tërhiq i gjallë. Turp të ketë Edi Rama. Nëse është burrë të dalë këtu dhe të japë llogari.

Protestuesi: Sot kam dalë që të shkarkohet Ardi Veliu. Ai është mafiozi më i madh këtu, ai duhet të ikë. Kemi qenë ditë për ditë në protestë dhe do të jemi sërish.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat