I kërkuan dorëheqjen, shpjegohet Kushi: Deklarata ime u keqkuptua!

Shqipëria

I kërkuan dorëheqjen, shpjegohet Kushi: Deklarata ime u keqkuptua!

Më: 16 dhjetor 2020 Në ora: 09:11
Evis Kushi

Vetëm dy ditë pasi deklarata mbi fëmijët protestues që do të bëhen subjekt i psikologëve në shkolla dhe që bëri xhiron në rrjete sociale, reagon ministrja e Arsimit, Evis Kushi.

Me tone të zbutura, ministrja nënvizoi se është keqkuptuar dhe se është e shqetësuar për aktet e dhunës ashtu sikundër edhe prindërit e tyre.

“Deklaratat e mia janë keqkuptuar, sepse i kam bërë vetëm për minorenë. E ka për detyrë psikologu i shkollës që t’i ndihmojë këta fëmijë si duhet. Fëmijë që thyejnë xhama, shkulin semaforë dhe djegin pemë, janë akte dhune. Edhe sikur fëmija të ketë një revoltë, edhe pse më duket e vështirë që fëmijët të ngrihen kundër qeverisë dhe ministrit të Brendshëm. Ne duhet t’i mësojmë se fëmijët të reagojnë në mënyrë paqësore. Unë jam shqetësuar këto ditë dhe jam e sigurt që edhe prindërit e tyre janë shqetësuar për ata fëmijë”, vuri në dukje ministrja në një dalje mediatike lidhur me protestat disaditore të të rinjve pas vrasjes së Klodian Rashës.

Nisur nga kjo deklaratë që etiketon si krim të drejtën e protestës, por edhe për të tjera arsye, të rinj të Lëvizjes Për Universitetin kanë kërkuar dorëheqjen e ministres. E madje, dhe sot kanë parashikuar të mbajnë një aksion përpara godinës së Ministrisë.

“Ne nuk duhet t’ia tolerojmë një ministreje arsimi të dalë e të shprehet, të flasë me atë gjuhë në televizion përballë së drejtës për të protestuar. Ministrja ka arritur pervesitetin që quan krim një të drejtë për të protestuar dhe të quash kriminelë disa minorenë, që mbase nuk arrijnë të kuptojnë dhe teorizojnë situatën politike në vend apo të filozofojnë koncepte të caktuara. Ama ata arrijnë të kuptojnë problemin, të kuptojnë kur nuk kanë mundësi të ushqehen, nuk kanë veshmbathje kur ikin në shkollë. A nuk mjaftojnë këto arsye për të protestuar”, citohet në deklaratën e LPU-së.

Përdorimi i të rinjve për akte dhune është ajo që e shqetëson ministren Kushi, e cila nga ana tjetër thotë se dikasteri që drejton ka një pjesë të mirë të detyrës për edukimin e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat