“I dobët me Ramën, jokonfliktual me Meten…” shpjegimet pse Çuçi u bë Ministër i Brendshëm

Shqipëria

“I dobët me Ramën, jokonfliktual me Meten…” shpjegimet pse Çuçi u bë Ministër i Brendshëm

Më: 18 dhjetor 2020 Në ora: 19:02
Bledi Çuçi

Sipas një analize të Lapsi.al marrëdhënia personale ka qenë i vetmi shpjegim për katapultimin e Bledi Çuçit në radhët e Rilindjes. Eshtë sulmuar për jetën private me të gjitha mënyrat, por për sa kohë i vjel frytet e saj edhe në karrierën politike, efektet anësore janë të pashmangshme.

Por tani që është në majat e drejtimit të shtetit shqiptar, Bledi Çuçi e ka krijuar profilin e tij si ministër i Ramës dhe përtej zërave që dëgjon Rama në rrethin e ngushtë familjar, analistët janë rrekur t’i japin një shpjegim zgjedhjes që bëri kryeministri duke parë konjukurat politike.

Fatos Lubonja e shpjegon me kriterin e “bindjes absolute” ndaj shefit, ndërsa e krahason Çuçin me një zero tjetër pas njëshit. Dhe ndërsa pyet veten se çfarë mund të thotë për Çuçin, Lubonja e ka të vështirë t’i gjejë fjalët. Pikërisht mosgjetja e argumentave për t’i dhënë një kuptim zgjedhjet së Ramës, për Lubonjën përbën në vetvete një arsye që e çon Çuçin në atë post… “që të mos kemi çfarë të themi për të”.

“Nuk kemi cfarë të themi, ndoshta ndaj është bërë kjo zgjedhje, që mos të kemi cfarë të themi. Problemi më i madh që kam unë me këtë qeveri, më këta ministra, është se këta e shohin veten në rolin e zeros, që i shtohet 1-shit nga mbrapa për t’i rritur vlerën. Secili nga këta duhet të jetë 1 në rolin e vet, më i aftë se kryeministri dhe ky i fundit duhet të jetë i nderuar që i vë aty. Kur kryeministri i trajton kështu si zero, ku di unë. Gjithë këto ngjarje që kanë ndodhur, kjo dhunë ndaj njerëzve, dhe nuk reagojnë fare, e quajnë normale. Vret tjetri, bëjnë rekrutime njerëzish, si ky polici që ka vrarë, krejt të dyshimtë.

Janë krejtësisht të dyshimtë, si kjo vrasja e këtij polici. Kush e hodhi atë revolen atje, nga doli? Nëse ka pas një njeri që hodhi një revole aty, këtu nuk flitet për një njeri, por flitet për një bandë kriminale, të kthesh policinë në një bandë kriminale. Meta do e dekretonte Çuçin, se nuk kishte arsye për të thënë jo. Si person Çuçi mund të jetë njeri i qetë, por problemi këtu është kryeministri. Të jesh normal këtu nuk do të thotë të jesh 0 që i shtohet 1” thotë Lubonja.

Për Besnik Mustafain shpjegimi pse Rama e zgjodhi Çuçin ka të bëjë me faktorin “25 Prill”. Sipas tij, Rama vendos në Ministrinë e Brendshme një person të butë, i cili do t’ia vërë policinë në dispozicion në 25 Prill. A mund të vijë dita që Bledi Çuçi t’i thotë JO Edi Ramës? Mustafai nuk beson se kjo do të jetë dita e zgjedhjeve.

“Kryeministri po e mban nën kontroll për shkak të zgjedhjeve të ardhshme që lidhen me karakterin e butë dhe të dobët të Bledi Çuçit. Rama nuk është karakter i butë siç dihet. Nëse ministri i Brendshëm do marrë urdhër të përdorë policinë për zgjedhjet që është vërejtur në dy dosje të hetuara, del që është përdorur policia e shtetit për zgjedhje. Po as Sandër Lleshaj nuk mund ta bënte. Nuk kanë munguar ligjet për të ndëshkuar shkelësit por ushtrimi i kompetencave që jep ky ligj. Policët këtu te ne marrin urdhra nga politika. Erdhi Edi Rama nga SHBA dhe policia u egërsua. Policia duhet të përballojë me dinjitet protestuesit që ka përballë. Mosbesimi i të rinjve te politika është shqetësues. Opozita duhet të jetë shumë më përpara se maxhoranca sepse përfaqëson shpresën“, thotë Besnik Mustafaj.

Baton Haxhiu thotë se Rama është ndikuar nga faktori “Meta” në përzgjedhjen që ka bërë. Duke qenë se Çuçi ishte një produkt i çertifikuar edhe më parë nga presidenca, ai nuk përbën shkak për rindezjen e konfliktit mes Presidencës dhe Kryeministrisë. Përtej kësaj, edhe Haxhiu e pranon se Çuçi është një njeri jokonfliktual.

“Ngjashmëri me atë në përzgjedhje. I kujdesshëm për të mos zgjedhur një njeri që ka ashpërsi, një karakter që edhe në dukje edhe në veprim është ashtu. Rama e njeh Bledin se çfarë është puna e tij. Rama nuk dëshiron konflikt para zgjedhjeve, nuk do ashpërsi. Ndryshe do dërgonte në presidencë një njeri që presidenti do e refuzonte duke i lënë peshën Metës. Ose ta linte vendin pa ministër të Brendshëm për t’ia lënë në dorë presidentit. Duke qenë se kritikat ndaj kryeministrit kanë qenë se përzgjedh femra në poste të tilla dhe ato nuk i përmbushin kushtet, e kanë bërë që të përzgjedhë një njeri që nuk është konfliktual. Unë po të isha do veproja ndryshe”, tha Haxhiu.

Pavarësisht nuancave, pika që i bashkon analizat për emërimin e Bledi Çuçit në krye të Ministrisë së Brendshme është profili i tij i ulët në raport me Ramën. Kryeministri ka korrigjuar gabimin që bëri me Fatmir Xhafajn dhe Sandër Lleshajn, dy emra që tentuan ta drejtonin Policinë e Shtetit, duke marrë vendime që çuan në përplasje me shefin e qeverisë. Pak muaj para zgjedhjeve, karakteri është një luks që Ministri i Brendshëm nuk e përballon dot dhe tashmë lidhja e shkurtër e përfolur mes kryeministrit Rama dhe Drejtoritë të Policisë së Shtetit Ardi Veliut, nuk duket të ketë asnjë pengesë, madje nuk duket as çudi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat