Kur do e kemi vaksinën anti-Covid? Dasho: Nuk kemi mbaruar ende vaksinën e gripit sezonal

Shqipëria

Kur do e kemi vaksinën anti-Covid? Dasho: Nuk kemi mbaruar ende vaksinën e gripit sezonal

Më: 19 dhjetor 2020 Në ora: 08:38
Erion Dasho

Në një intervistë për RTV Ora, eksperti i shëndetit publik Erion Dasho ka folur rreth situatës me pandeminë Covid-19 në Shqipëri dhe politikave që po ndiqen dhe do ndiqen sa i përket vaksinimit të popullatës.

Sipas doktorit, Shqipëria mund të jetë mes tre vendeve më të goditura nga Covid-19 në botë, ndërsa u shpreh se nuk ka ende asnjë strategji konkrete për mënyrën se si do të bëhet vaksinimi i popullatës.

Erion Dasho: Këtë pohim unë e bazoj në një përllogaritje të shifrave që shohim, atë atyre që nuk mund të fshihen dot. Fatkeqësia e gjithë kësaj kohe ka qenë se, qeveria, Ministria e Shëndetësisë, Komiteti i Ekspertëve që në muajin maj kur përfundoi karantina e deri tani nuk kanë pothuajse asnjë masë e cila të jetë e orientuar shkencërisht e të ketë rezultate të provuar në gjithë botën se një masë e tillë arrin të parandalojë transmetimin e Covid-it.

Kemi masa të shkëputura, masa që shpeshherë nuk bëjnë sens dhe masa që e kanë lënë situatën në gjendje të lirë ose siç e kam thënë më parë i kanë lënë shqiptarët në mëshirën e tekave të virusit.

Kur dalin këta të qeverisë ose Komitetit, të gjithë flasin përe strategji, madje nxjerrin edhe disa letra të shkruara. Këto emrin e kanë strategji, por që nuk u zbatuan asnjëherë.

E njëjta gjë duket edhe për strategjinë e vaksinimit. Se që të kemi një strategji vaksinimi nuk do të thotë që ti të kesh një letër të shkruar. Vendet që aplikojnë siç duhet masat parandaluese për Covidin dhe tashmë janë duke u përgatitur për vaksinimin, kanë ngritur mjediset ku do të kryet vaksinimi, kanë rekrutuar personel mjekësor shtesë, kanë trajnuar këtë personel sepse ky vaksinim ka specifikat e veta. Qeveritë, që në verë ose para, kanë mbyllur kontratat me kompanitë prodhuese edhe e dinë se çfarë vaksine do të aplikohet. Sepse çdo vaksinë ka specifikat e veta të zinxhirit logjistik, ka specifikat e veta të aplikimit… Nëse do të sjellësh vaksinën e Biotech të duhet temperaturë -70 gradë, nëse do sjellësh atë të Modernas kërkohen temperatura më të ulëta se të zakonshmet.

Edhe sot e kësaj dite nuk ka përfunduar fushata e vaksinimit të gripit të stinës. Ndërkohë që gjysma e sezonit të virozave ka kaluar”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat