​Kryenegociatori Mazi: Të heqim pluhurin e paragjykimit për shqiptarët nga kostumi i BE

Shqipëria

​Kryenegociatori Mazi: Të heqim pluhurin e paragjykimit për shqiptarët nga kostumi i BE

Më: 21 dhjetor 2020 Në ora: 15:09
Zef Mazi

Kryenegociatori për zhvillimin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, Zef Mazi shprehu sot bindjen se “vendimi për uljen në tryezë për Konferencën Ndërqeveritare do të merret shumë shpejt në vitin e ri që hyjmë, shpresoj që të fillojmë në pranverë”.

Në një intervistë për Java News, Mazi foli për arritjet në këtë proces gjatë këtij viti. “Me një angazhim të fortë të qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Edi Rama, është bërë konstituimi i Grupit Negociator, është vendosur në shina institucionalizimi i takimeve mujore të Grupit, i raportimeve javore dhe atyre tremujore të Grupit tek Kryenegociatori dhe ky i fundit në Komitetin Shtetëror të Integrimit”, tha ai.

Gjithashtu, Mazi tha se “është institucionalizuar raportimi i rregullt i Kryenegociatorit në mbledhjet javore të Qeverisë”. “Janë kryer një numër vizitash ne Bruksel dhe kryeqytete të vendeve të BE-së, është paraqitur në Komisionin Europian raporti voluminoz vjetor i ecurisë në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, është përpiluar dhe paraqitur në Komisionin e BE-së paketa e “fishave” të veprimit për grantet e pritshme të Komisionit për një numër projektesh strategjike në kuadër të programit IPA III (2021-2027), janë zhvilluar takime zyrtare me një numër ambasadorësh të vendeve të BE-së në vendin tonë mbi draftet e kornizës negociuese për Shqipërinë, janë bërë mbledhjet vjetore të Komiteteve dhe nën-komiteteve respektive me Komisionin, etj”, tha ai.

Siç mund të shihet, theksoi Mazi, “ka qenë një punë voluminoze, e shpërndarë në një rrjet të gjerë organizmash e institucionesh brenda e jashtë vendit, që ka kërkuar një punë të madhe konceptuale, organizative dhe menaxhuese”. Mazi shprehu bindjen se të gjithë bashkë kemi bërë më të mirën, për kohën dhe kushtet me të cilat përballet sot Shqipëria në sfidën e integrimit evropian”.

“Dëshiroj të shtoj se procesi i integrimit, sa na takon ne, ka ecur me ritëm të shpejtë, në gjithë dimensionin e tij dhe në mënyrë të organizuar, të rregullt. Kemi punuar fort që të përmbushim të gjitha kërkesat e procesit. Faktet, koha dhe rezultatet mendoj se flasin vetë. Ato provojnë që kërkesat pothuajse të gjitha janë përmbushur. Një kërkesë është ende për t’u përmbushur, ajo është vënë në rrugë të mirë për përmbushje të shpejtë, shpresoj deri nga fundi i vitit”, tha ai.

Mazi theksoi se “është hartuar, diskutuar, rishikuar dhe miratuar nga Komiteti Shtetëror i Integrimit Europian i Parlamentit, më pas nga seanca plenare e Parlamentit, një Plan Veprimi për përmbushjen e këtyre kërkesave”.

“Kryeministri dhe Kryenegociatori kanë ndjekur në mënyre direkte zbatimin e këtij Plani. Janë bërë përditësime mujore të ecurisë të zbatimit të secilës prej 15 pikave të Planit. Përditësimet u janë paraqitur vendeve që kam vizituar, rregullisht i janë paraqitur Delegacionit të BE-së në Shqipëri dhe, përmes tij, ambasadave të vendeve anëtare në BE, akredituar në Shqipëri. Unë kam qenë i ftuar në mbledhje të të gjithë ambasadorëve të BE-së. Aty i kam bërë një prezantim të plotë të ecurisë dhe u jam përgjigjur të gjitha pyetjeve të tyre. Përditësimi më i fundit iu paraqit ambasadorit Soreca vetëm tre ditë më parë”, tha ai.

Si Kryenegociator, Mazi tha se “mori pjesë dhe kontribuoi me ndërhyrje në tri mbledhje të rëndësishme, madhore, vjetore, në procesin e integrimit”. “Mbledhja vjetore e Komitetit të Stabilizim-Asociimit me Komisionin Europian. Mbledhja analizoi, diskutoi, bëri vlerësime mjaft pozitive për ecurinë mbi bazën e raportit vjetor (prej 325 faqesh) në zbatim të Marrëveshjes të Stabilizim-Asociimit, që u paraqit nga Shqipëria para mbledhjes së Komitetit. Kam bindjen se Komisioni vlerësoi rezultatet në gjithë fushat dhe la detyra për vitin në vijim”, tha Mazi.

Po ashtu ai tha se mori pjesë në mbledhjen dy-ditore të Komitetit Drejtues të Forumit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor. “Aty ishte i ftuar edhe Komisioneri i Zgjerimit, Varhelyi, që mbajti një fjalë gjithëpërfshirëse për strategjinë e investimeve dhe të projekteve për investime në fushat kryesore. Ai dha detaje për bllokun e parë të investimeve prej 3.3 miliardë, që do rritet në 9 miliardë, alokuar nga Komisioni për Ballkanin Perëndimor. Ai bëri thirrje për të mobilizuar së paku 20 miliardë për infrastrukturën e Ballkanit Perëndimor për ta ngritur atë në nivelin e BE-së dhe përfshirë në BE, ku e kanë vendin. Ai iu referua nevojës të forcimit dhe bashkëpunimit edhe më të ngushtë rajonal që Shqipëria e mbështet plotësisht, tha Mazi.

Kryenegociatori Mazi tha po ashtu se “Komisioneri Varhelyi dha zyrtarisht një lajm shumë të mirë në këto kohë të vështira, që u mirëprit nga Shqipëria, në lidhje me sjelljen e vaksinës antiCOVID në Ballkanin Perëndimor, “në të njëjtën kohë me vendet anëtare të BE-së“”.

Së treti Mazi tha se mori pjesë në “Komitetin e Monitorimit të IPA ku diskutoi dhe shkëmbeu mendime për zbatimin e IPA II, si janë bërë punët, çfarë mësimesh janë nxjerrë për përmirësime dhe qartësoi rrugën dhe objektivat për të ardhmen”. “53 “fisha” veprimi për investime përmes grantesh u janë paraqitur Komisionit. Ato janë në linjë me prioritetet strategjike të vendit tonë për një numër sektorësh. Pritet marrja e mendimeve të Komisionit”, tha ai.

Mazi tha se “ecuria në rrugën integruese nuk ka alternativë”. “Ajo është një rrugë me një drejtim”. “Shqipëria ka vendosmëri për të vijuar këtë rrugë pa ndalur, bindshëm, me shpejtësinë e duhur. Reformat gjithëpërfshirëse do vijojnë pa u ndalur për të mirën e vendit dhe popullit tonë. Kështu do vijojë edhe Vetingu, ndonëse ai mund të ngadalësojë disa hapa të ndërtimit të institucioneve të drejtësisë së re. Ne do arrijmë rezultate, do të bëjmë detyrat tona dhe do ta fitojmë së shpejti hapjen teknike formale të negociatave, me Konferencën e pare Ndërqeveritare, sepse vendimi politik për hapjen e negociatave është miratuar në takimin e Këshillit në Zagreb në mars 2020. Këshilli nuk ka asnjë problem dhe është dakord me kornizën negociuese për Shqipërinë”, tha ai.

Mazi tha se është e vërtetë, se Këshilli nuk arriti në vendim konsensual. “Çështja është disi e komplikuar. Ajo ka në bazë mosmarrëveshjen midis Bullgarisë dhe Maqedonisë të Veriut për pika sensitive dypalëshe”. “Kjo pati ndikimin e vet tek ne. Në Këshill nuk pati dakordësi që të miratohej kuadri negociues vetëm për vendin tonë, duke e ndarë atë nga Maqedonia e Veriut”, tha ai.

Mazi tha se “Bullgaria nuk ka qenë penguese për vendin tonë”. “Ajo është shprehur dakord të procedohej me miratimin e kornizës për Shqipërinë. Në interesin e vendit tonë, ka qenë gabim jo i vogël që të mos bihej dakord. Unë shpresoj që çështjet bilaterale te zgjidhen sa më parë përmes dialogut intensiv. Ato të mos bëhen pjesë e marrëveshjeve të 27-ve dhe siç thuhet në Direktivën e BE-së, ky proces të mos ndalet, të mos mbahet peng. Sigurisht kjo situatë është disi zhgënjyese, pasi Këshilli nuk arriti marrëveshje për këto çështje në këtë fundviti. Unë e kuptoj arkitekturën e BE-së, interesat e vendeve të ndryshme, vështirësitë e konsensusit ndërmjet 27 vendeve. Rëndësi për vendin tonë është të dimë të ecim përpara pa u ndalur, pa u mërzitur, me durim, me largpamësi. Ne duhet të punojmë të gjithë, pa përjashtim, që të bindim partneret se e ardhmja jonë, e vendit tonë, e rinisë tonë, nuk duhet të kapet peng nga e tashmja”, tha ai.

Mazi tha se “është me rëndësi themelore që zhvillimet politike në një vend të mos kapërcejnë interesat largpamëse shumëdimensionale të BE-së për t’i pasur në anëtarësinë e vetë vendet e Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria. Ndër vendet e BE-së ka ende pluhur politik paragjykimesh mbi kostum ndaj nesh, ai duhet shkundur”, tha ai./ATSH/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat