COVID 19, Shqipëria pezullon fluturimet me Britaninë e Madhe dhe shton kufizimet per Festat e fundivitit

Shqipëria

COVID 19, Shqipëria pezullon fluturimet me Britaninë e Madhe dhe shton kufizimet per Festat e fundivitit

Më: 21 dhjetor 2020 Në ora: 21:03
Ilustrim

Në Shqipëri, autoritetet shëndetësore vendosën sot pezullimin e fluturimeve ajrore të udhëtarëve me Britaninë e Madhe, pas lajmeve mbi qarkullimin atje të një varianti të ri të koronavirusit. Duke nisur nga ora 06.00 e ditës së nesërme, deri më 6 Janar, lidhjet ajrore mes dy vendeve ndërpriten.

Komiteti Teknik i Ekspertëve njoftoi masën e karantinës së detyrueshme 14 ditore për qytetarët, që hyjnë nga Britania përmes rrugëve të tjera.

Komiteti i Ekspertëve vlerësoi se në 4 javët e fundit që situata ka paraqitur një qëndrueshmëri lidhur me rastet pozitive të infektuara për 100 mijë banorë dhe përqindjen e pozitivitetit të rasteve.

Përqindja e shtretërve të zënë në spitalet Covid është afro 70% ndërsa ajo e shtretërve në reanimacione është 25 përqind.

Specialistët nisën sot testimin e shpejtë në 6 pika të qendrave shëndetësore në Tiranë.

Edhe në spitalet rajonale, në shërbimet e urgjencave ka filluar përpos testimit klasik, edhe testi i shpejtë për rastet që përfshihen në udhëzimin e Instituti të Shëndetit Publik.

Hyrja në periudhën e festave solli zgjerimin e orarit të kufizimit të lëvizjes së popullatës nga ora 20.30 e mbrëmjes deri në orën 06.00 të mëngjesit, duke filluar nga 24 dhjetor deri në datën 4 Janar. Pas kësaj date do të rikthehet orari që është aktualisht në fuqi 22.00 deri 06.00.

Masat e Komitetit Teknik të Ekspertëve do të rivlerësohen në mënyrë dinamike. nëse do të jetë e nevojshme, do të merren masa të reja për mbrojtjen e shëndetit të popullatës.

Shqipëria ka shënuar deri tani afro 1 mijë e 100 të vdekur nga Covid -19 dhe disa dhjetëra mijë persona të infektuar.

Rastet dhe vdekjet nga COVID 19, në nivelin më të ulët që prej 5 javëve

Situata e koronavirusit rregjistroi një përmirësim gjatë 7 ditëve të fundit (java e 51-të që nga nisja e pandemisë), me një ulje të rasteve të reja dhe vdekjeve, të cilat nuk ishin parë që prej 5 javëve. Edhe numri i të shtruarve në spitale, shënoi gjithashtu rënie. Sipas të dhënave të përpunuara nga Zëri i Amerikës, në ulje të lehtë ishin dhe testimet, por pavarësisht kësaj, pozitiviteti (raporti mes testimeve dhe rasteve të konfirmuara) i cili është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet, pësoi një rënie të ndjeshme me 5 pikë përqindje duke zbritur në nivelin e 25.9 përqind, niveli më i ulët i 5 javëve të fundit.

Rastet e reja, 4234 të prekur në 7 ditët e fundit, përfaqësojnë po ashtu nivelin më të ulët që pas javës së dytë të nëntorit (10-16 Nëntor). Krahasuar me javën pararendëse (8-14 Dhjetor) numri i të prekurve, ra me 23.2 përqind.

Për 24 orët e fundit u njoftuan 422 raste, numri më i ulët ditor që prej datës 13 nëntor. Të prekurit, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë janë identifikuar në këto bashki: 179 raste në Tiranë, 32 në Sarandë, 21 në Fier, 18 në Durrës, 17 në Shkodër, 14 në Elbasan, nga 10 raste në Kavajë, Lushnje, Vlorë, Mat, 9 në Gjirokastër, nga 8 raste në Pogradec, Klos, 7 në Skrapar, nga 6 raste në Krujë, Kamëz, nga 5 raste në Korçë, Delvinë, Tepelenë, nga 4 raste në Mallakastër, Librazhd, Dibër, Gramsh, Poliçan, nga 3 raste në Lezhë, Kolonjë, nga 2 raste në Kurbin, Kukës, Berat, Këlcyrë, dhe nga 1 rast në Maliq, Peqin, Prrenjas, Divjakë, Përmet, Tropojë, Mirditë, Devoll.

Edhe numri i vdekjeve ra me 13.9 përqind javën e fundit, duke zbritur në kuotën e 81 personave që kishin humbur jetën. Në 24 orët e fundit, u njoftua për 10 viktima: 2 qytetarë nga Tirana, 1 qytetar nga Lushnja, 1 qytetar nga Fieri, 1 qytetar nga Korça, 1 qytetar nga Lezha, 1 qytetar nga Vlora, 1 qytetar nga Saranda, 1 qytetar nga Elbasani, 1 qytetar nga Pogradeci, të moshave 60-81 vjeç.

Gjatë javës së 51-të, numri i të shtruarve në spitalet që trajtojnë të sëmurët me shenja klinike, erdhi në rënie. Ndërsa në javën pararendëse, pati mesatarisht 450 pacientë, ditët e fundit, ranë nën 400, ndërkohë që shifrat e personave në terapi intensive, apo të intubuar, mbetën thuajse në të njejtat nivele./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat