Gjykata le në burg të akuzuarin për vrasjen e Prelës, avokati: Klienti im ka qenë duke festuar ditëlindjen

Shqipëria

Gjykata le në burg të akuzuarin për vrasjen e Prelës, avokati: Klienti im ka qenë duke festuar ditëlindjen

Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 11:14
Foto ilustrim

Pas vendimit të Gjykatës Lezhë për të lënë në burg Nikoll Sherrnikun, i akuzuar për vrasjen e efektivit të FNSH Xhulio Prela, avokati i tij mbrojtës ka thënë për mediat se vendimi është i gabuar dhe se klienti i tij nuk ka lidhje me ngjarjen.

Sipas avokatit, Sherrniku ka qenë duke festuar ditëlindjen natën e ngjarjes.

“Ne u paraqitëm sot në seancën e komunikimit të masës së sigurimit të personit të ndluar Nikoll Sherrniku. Kërkuam paraprakisht me aktet që ndodhen në dosje. Konkretisht nga Gjykata Lezhë na u dha vetëm një kopje e vendimit. Ne kërkuam akte që ligji na i lejon. Ne e njohim Kodin e Procedurës Penale. Konkretisht me çfarë u njohëm ne, gjykata ka dhënë një vendim të gabuar. Me të vërtetë është një jetë e humbur por i mbrojturi prej meje është absolutisht i pafajshëm. Nuk ka asnjë lidhje. Natën që ka ndodhur ngjarja i mbrojturi prej meje ka qenë duke festuar ditëlindjen me familjen e tij”, tha ndër të tjera avokati mbrojtës i Sherrnikut.

Autori tjetër, sipas policisë, Brilant Martinaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi ka dyshime se është larguar jashtë vendit disa ditë pas ngjarjes së rëndë.

Deri më tani hetuesit kanë vetëm këta dy persona të dyshuar si të implikuar në ekzekutimin e 26-vjeçarit Xhulio Prela i cili u qëllua për vdekje mëngjesin e 5  dhjetorit teksa po kthehej nga Shkodra, në drejtim të Tiranës ku dhe banonte.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat