Shqipëria dhe SHBA nënshkruan një marrëveshje të re ekstradimi

Shqipëria

Shqipëria dhe SHBA nënshkruan një marrëveshje të re ekstradimi

Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 14:18
Yuri Kim dhe Etilda Gjonaj

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Yuri Kim, dhe ministrja e drejtësisë së Shqipërisë, Etilda Gjonaj, nënshkruan sot një traktat të ri ekstradimi, si pjesë e bashkëpunimit kundër kriminalitetit.

Traktati i Ekstradimit siguron tashmë një kornizë moderne, e cila mundëson që të dy shtetet të përballen me më shumë rezultat me sfidat dinamike të krimit ndërkombëtar.

Traktati i ri modernizon dhe zëvendëson atë midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Shqipërisë, të nënshkruar 87 vjet më parë, më 1 mars 1933, në Tiranë.

Ky traktat nuk i kufizon më veprat e ekstradueshme në një listë të thjeshtë. “Fushëveprimi është zgjeruar për të pasqyruar konceptet moderne në luftën kundër krimit dhe natyrën e fortë të marrëdhënies sonë të sigurisë. Ky traktat siguron një tjetër armë të fuqishme për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së kriminelëve të cilët përpiqen të fshihen pas kufijve”, - tha ambasadorja amerikane, Yuri Kim, në ceremoninë e nënshkrimit të Traktatit.

Autoritetet shqiptare e vlerësuan kërë ngjarje si një hap të ri në bashkëpunimin gjyqësor midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë.

“Korniza ligjore e deritanishme konsiderohej e tejkaluar prej evoluimit të legjislacionit penal ndër vite. Me marrëveshjen e re zgjerohet dhe përditësohet kategoria e veprave penale, për të cilat mund të kërkohet ekstradimi nga palët, mbi bazën e parimit të kriminalitetit të dyfishtë, duke përfshirë tashmë edhe veprat penale më të reja si ato me karakter financiar, tatimor dhe doganor, korrupsionin, veprat mjedisore, veprat në fushën informatike e çdo vepër që dënohet me heqje të lirisë për një periudhë maksimale prej më shumë se një viti ose për një dënim më të rëndë, me përjashtim të veprave penale me karakter politik” - tha ministrja e drejtësisë Etilda Gjonaj.

Ajo theksoi se marrëveshja është një sinjal i qartë ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, se askush nuk do të gjejë asnjë strehë për t’iu shmangur zbatimit të ligjit penal në SHBA apo në Shqipëri.

Marrëveshja e parë e ekstradimit e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte nënshkruar në vitin 1933, hyrë në fuqi në vitin 1935, pas ratifikimit dhe nënshkrimit të Protokollit të Shkëmbimit nga Faik Konica, Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA dhe Cordell Hull, Sekretari i Shtetit të Shteteve të Bashkuara./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat