“Kush je ti, edhe presidenti...”/ Deputeti i Kuvendit flet për sherrin me të moshuarën: Shante, bënte gjeste banale

Shqipëria

“Kush je ti, edhe presidenti...”/ Deputeti i Kuvendit flet për sherrin me të moshuarën: Shante, bënte gjeste banale

Më: 23 dhjetor 2020 Në ora: 15:03
Selami Jenishehri

Deputeti Selami Jenishehri është një personazh i veçantë. Ai fiton shpeshherë vëmendjen e mediave për situatat që krijon jashtë parlamentit.

Një ditë më parë, Jenishehri u bë viral në rrjetet sociale për shkak të incidentit të tij me një zonjë, të publikuar nga faqja e Olti Currit në “Facebook”.

Deputeti kërkonte të shmangte radhë duke e justifikuar me statusin e tij të deputetit. Zonja nuk e pranoi një argumentim të tillë dhe iu përgjigj se nuk ka asnjë të drejtë të shmangë radhën. “Jo deputet, por dhe president të jeni nuk mund të futeni i pari”.

Ditën e sotme Jenishehri ishte i ftuar në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, për të treguar versionin e tij të ngjarjes. Deputeti tregoi se në asnjë moment nuk ka përdorur statusin e tij për të shmangur radhën, por ka pritur si gjithë të tjerët.

“Unë shkova për të pyetur se kush është mjeku im i familjes. Pyeta se kush është i fundit në radhë dhe ishte zonja. I thashë mirë, unë do jem pas teje. Dhe dola të prisja jashtë. Aty më njohën disa njerëz që më kishin parë në televizion dhe kishin pëlqyer fjalimet e mia. Dikush aty tha ‘ky është deputet, le të hy para se vetëm ka për të pyetur’. Në ato momente nis ajo zonja e flet në atë mënyrë”, tha Jenishehri.

Ky i fundit shtoi se zonja shante, bënte gjeste banale dhe madje e kërcënonte se do e arrestonte policia.

“Kam përmendur policinë vetëm se tha ajo do të të arrestojnë se sipas saj nuk po respektoja radhën. Unë thashë se nuk mund të më arrestojnë se nuk e prisha radhën, por edhe nëse do më arrestonin, duhet që të bëhet votimi në Kuvend”, tregoi deputeti.

Jenishehri shtoi se në asnjë moment nuk ka tentuar që të futej pa radhë. “Unë kam hyrë pas zonjës, e cila ishte jo normale dhe bënte gjeste jo të bukura”, përfundoi deputeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat