Gjykata Kushtetuese funksionale pas 3 vitesh: Ditë e shënuar, të angazhuar në përmbushjen e misionit me integritet

Shqipëria

Gjykata Kushtetuese funksionale pas 3 vitesh: Ditë e shënuar, të angazhuar në përmbushjen e misionit me integritet

Më: 24 dhjetor 2020 Në ora: 16:57
Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese në Shqipëri ka arritur kuorumin e domosdoshëm për tu bërë funksionale, me betimin e Altin Binajt dhe Përparim Kalos.

Anëtarët e ‘Kushtetueses’ përmes një deklarate e cilësojnë si një ditë të shënuar për Shqipërinë dhe shprehin angazhimin se do të ushtrojnë funksionet me integritet dhe qëndrueshmëri për përmbushjen e misionit kushtetues, duke pasur besimin e plotë të kapërcimit të sfidave.

“Sot është një ditë e shënuar për Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë. Me emërimin e dy anëtarëve të rinj të saj krijohet kuorumi i nevojshëm ligjor për rinisjen e funksionalitetit dhe veprimtarisë vendimmarrëse që pas ndërprerjes në mars të vitit 2018.

Ringritja e Gjykatës Kushtetuese ka qenë një kërkesë jetike për vendin, për shkak të rolit dhe kompetencave që ajo ka si garante e Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës, në mbrojtje të demokracisë, lirive dhe të drejtave themelore të individit. Ky proces ka qenë i gjatë e kompleks dhe ka kërkuar bashkëpunimin e shumë institucioneve shtetërore dhe më gjerë. Gjithashtu një mirënjohje e veçantë shkon edhe për mbështetjen e pakursyer të dhënë nga partnerët ndërkombëtarë për përmbylljen me sukses të këtij procesi.

Gjykata Kushtetuese është e angazhuar të ushtrojë funksionet me integritet dhe qëndrueshmëri për përmbushjen e misionit të saj kushtetues, duke pasur besimin e plotë të kapërcimit të sfidave që janë përpara saj, në respektim të vlerave dhe standardeve me të rëndësishme kushtetuese”, thuhet në deklaratën e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat