Jonila Godole: Ish-të përndjekurit duhet të kishin qenë të bashkuar dhe të formonin parti

Shqipëria

Jonila Godole: Ish-të përndjekurit duhet të kishin qenë të bashkuar dhe të formonin parti

Më: 24 dhjetor 2020 Në ora: 21:43
Jonila Godole

Tridhjetë vite pas rrëzimit të regjimit të diktaturës, ish-të burgosurit politikë mbeten ende në pritje të përfundimit të procesit të dëmshpërblimeve.

Duke ndarë opinionin e saj në një panel me ish-të burgosurit politikë Bedri Blloshmi dhe Simon Miraka në Euronews Albania, drejtoresha e Institutit për Demokraci Media dhe Kulturë Jonila Godole tha se ish-të përndjekurit duhet të ishin më të bashkuar dhe nuk duhej të formonin vetëm shoqata për mbrojtjen e të drejtave të tyre, por edhe parti.

Godole argumentoi se në përgjithësi kjo nuk ndodhi pasi disa ish-të përndjekur u përfshinë në partitë që u formuan në fillim të viteve 90-të, ndërsa nga ana tjetër atyre nuk iu dha hapësira.

“Tranzicioni u negociua, nuk ishte një revolucion ajo që ndodhi... besoj se të përndjekurit, një pjesë u përfshinë në parti [Partinë Demokratike] dhe u krijua përshtypja se dikush do merrej me këtë problem dhe drejtësia do të shkonte në vend,” – tha Godole duke shtuar se ishte e pamundur që ish-të përndjekurit të çanin në politikë përballë burokracisë dhe lidhjeve të forta që kishte sërish regjimi i vjetër me sistemin e ri.

“Edhe unë mendoj se ish-të përndjekurit duhet të kishin krijuar që atëherë [fillim-vitet ‘90] parti, por besoj se do të ishte e pamundur, duke pasur parasysh vuajtjet që kishin kaluar, mungesës së përvojës dhe lidhjes së forta të regjimit të vjetër me elitën e re [politike] që u krijua dhe që u vendos në partitë e reja pluraliste, kemi pak të zgjedhur aty nga ish-të burgosurit,” – tha drejtoresha e IDMC-së.

Në diskutimin që u zhvillua në studio, Godole foli edhe për procesin e dëmshpërblimeve. Ajo tha se në përgjithësi dëmshpërblimet kanë qenë nën varësi të vullnetit politik ku në vite të caktuara fondet kanë qenë të mëdha dhe në vite të tjera të papërfillshme.

Drejtoresha e IDMC-së mori si shembuj vitet 2009 dhe 2013 si vitet me më shumë fonde dhe me më shumë përfitues ndërsa tha duke cituar ish-drejtuesin e Kontrollit të Lartë të Shtetit se asnjë qeveri nuk ka dhënë më shumë se 0.1 për qind të buxhetit të përgjithshëm.

“Sa më shumë të zgjasë dhe sorollaten ish-të burgosurit politikë, gjithmonë e më shumë do të duken sikur po e marrin si dhuratë dëmshpërblimin ku në fakt ky është një detyrim dhe kur, nëse do të kishte pasur vullnet politik ky proces, kjo fazë e parë do të ishte zgjidhur që më herët,” – tha Godole.

“Sot e kësaj dite nuk kemi një listë të përgjegjësve, të atyre që morën pjesë dhe u dhanë dënimet politike ndaj atyre që sot janë në kategorinë e ish-të përndjekurve,” – shtoi më tej drejtoresha e IDMC-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat