Bedri Blloshmi: AIDSSH po shkatërron dosjet e ish-sigurimit

Shqipëria

Bedri Blloshmi: AIDSSH po shkatërron dosjet e ish-sigurimit

Më: 24 dhjetor 2020 Në ora: 21:44
Bedri Blloshmi

Ish-kreu i Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë, Bedri Blloshmi ka bërë një akuzë të fortë ndaj Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit në vitet 1944-1991, duke thënë se ky institucion nuk po kryen rolin e tij ligjor por po zhduk dosje të ish-sigurimit.

“Ata shkatërrojnë dosje, i zhdukin. Dosjen e vëllait tim (Vilson blloshmi), mua Genta Sula nuk ma dha fare.  Nuk ma japin me argumentin se nuk je trashëgimtar i parë”, shprehet Blloshmi.

Ish-kreu i Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë thotë se 17 500 të dënuar politikë ndihen të pa përfaqësuar politikisht pasi asnjë parti nuk i përkrah.

“Nuk e gjejmë vendin të përfaqësuar nga asnjë spektër politik. Të gjitha partitë e djathta, nuk na duan. PD këto 8 vjet nuk ka folur asnjëherë për të dënuarit politikë. Ne me Jezofinën ishim por asnjëherë nuk na ka pritur në takim”, u shpreh ish-i dënuari politik.

 Blloshmi u shpreh se ligjet për dëmshpërblimin e viteve të burgut gjithnjë kanë qenë me probleme dhe ende pas gati 30 vitesh nuk ka një zgjidhje përfundimtare.

“Gabimi është i ligjit që u bën në 2008 pasi u pyetën disa njerëz që nuk e kishin idenë se çfarë ishte burgu. U vendos që dëmshpërblimi të bëhej me 8 këste për dënimet deri në 15 vite burg. Ishte 1 milion lekë një këst. Kur u ndanë këstet një pjesë nuk morën asgjë”, tha ai.

Bedri Blloshmi tha se ish-të dënuarit politikë kanë kërkuar që 21 maji që shënon ditën e revoltës në burgun e Spaçit (1973) të shpallej ditë kombëtare për përkujtimin e tyre, por kjo nuk është pranuar nga politika.

“Kërkuam që 21 maji të jetë ditë kombëtar për të dënuarit politikë por ajo nuk u aprovua. I vetmi njeri që na ka përkrahur dhe ka folur është Bujar Leskaj.  Këta që janë në pushtet na duan të gjithë të vdekur, se atë që bënë baballarët e tyre e bënë”, përfundoi z. Blloshmi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat