Thyhet ndalim-qarkullimi, në Tiranë lokale hapur e trafik në rrugë

Shqipëria

Thyhet ndalim-qarkullimi, në Tiranë lokale hapur e trafik në rrugë

Më: 25 dhjetor 2020 Në ora: 14:59
Pamje nga video

Dita e parë e ndalim-qarkullimit e gjeti Tiranën me trafik dhe me lokale të hapura. Pavarësisht se policia ushtroi kontrolle në rrugë, ora 20:30 u duk e zakonshme në kryeqytet. Në rrethe duket se kërkesa e Komitetit të Ekspertëve ka gjetur zbatim në masë.

Në katedralen “Shën Pali” në Tiranë u mbajt mbrëmjen e së enjtes mesha e Lindjes së Krishtit.

Pavarësisht masave parandaluese të koronavirusit nuk ka munguar pjesëmarrja e besimtarëve, të cilët lutjet i kanë drejtuar për shëndet të mbarë për mbarë shqiptarët.

Mesha nisi të mbahet në orën 18:00 duke iu përgjigjur vendimit të Komitetit të Ekspertëve për ndalim-qarkullimin, e duke u mbyllur në orën 20:00.

Pavarësisht se kleri iu përgjigj masave, në rrugë nuk mungoi trafiku edhe pas orarit të lejuar. Në rrethe pak ishin ata që thyen rregullin.

Por në Tiranë nuk mungoi as trafiku në orët e vona. Teksa rëndom mund të gjeje edhe lokale që qëndruan hapur duke pritur klientët.

Policia patrulloi në rrugë por duket se në këto ditë feste masat janë toleruar.

Këtë të premte sërish në orën 20:30 do të nisë ndalim qarkullimi, i cili është në fuqi të paktën deri në 4 janar.

Përgjatë kësaj jave është shënuar një rënie e ndjeshme e numrit të të prekurve nga koronavirusi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat