“Deklarata kontradiktore”, Majko: Ndryshimi i “Kodit” e ka bërë votën e emigrantëve detyrim ligjor

Shqipëria

“Deklarata kontradiktore”, Majko: Ndryshimi i “Kodit” e ka bërë votën e emigrantëve detyrim ligjor

Më: 30 dhjetor 2020 Në ora: 13:09
Pandeli Majko

Vota e emigrantëve, një proces sa delikat aq edhe me rëndësi ka shkaktuar diskutime dhe reagime të ndryshme nga aktorët politikë në vend.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, ka reaguar sërish nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook”. Në një analizë të gjatë, Majko shkruan se kohët e fundit sipas tij ka pasur deklarime kontradiktore për votimin e qytetarëve shqiptarë jashtë vendit.

“Çdo tentativë për të bllokuar aplikimin e të drejtës së votës të shtetasve jashtë vendit me justifikimin se nuk janë regjistruar “të gjitha” adresat do të ishte moszbatim i një detyrimi ligjor të Kodit Zgjedhor”, shkruan Majko.

Por kujtojmë se kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, kundërshtoi deklaratë e Majkos, kur ky i fundit tha se për këtë çështje nuk ka nevojë që Diaspora të para regjistrohet.

“Secili ka mënyrën e vet të leximit. Por për KQZ nuk mund ta shprehësh dëshirën e votimit nëse nuk e ke vendbanimin atje ku kërkon të të vijë fleta e votimit. Për KQZ duhet ta kesh këtë status. Se si e merr këtë status në dijeninë time duhet të ndjekësh procedurat që ka përcaktuar qoftë ligji i vitit 2016 dhe aktet nënligjore të qeverisë lidhur me këtë çështje’, ka thënë Celibashi.

Lexo edhe: Majko në ABC News: Vota e emigrantëve e drejtë Kushtetuese, është vonë por jo e pamundur

Por ministri për Diasporën, këtë të mërkurë shkruan se komenti i tij është hequr nga konteksti, duke shtuar se kjo ka sjellë edhe diskutimet e tij me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Padiskutim, adresa jashtë vendit është e nevojshme për votimin pasi aty do të trokasin për të marr zarfin e votës. Ajo që ka rëndësi, është se e drejta e votës për shtetasit jashtë vendit të regjistruar në regjistrin e gjendjes civile nuk mund të refuzohet nga procesi i regjistrimit adresave të shtetasve jashtë vendit. Shtetasit të cilët kanë adresën e saktë jashtë vendit, në regjistrin e gjendjes civile, janë votues me të drejta të plota ligjore”, shkruan Majko.

Ndërsa shton se askush nuk duhet t’i frikësohet adresës politike të kësaj vote: “Tashmë është e sigurt, shtetasit tanë jashtë vendit do të “kthehen” në shtëpi me votë! Vota e tyre nuk ka rendësi për ngjyrën politike. Askush nuk duhet ti frikësohet adresës politike të kësaj vote. Ajo është votë e njerëzve që duan vetëm Shqipërinë”, përfundon Majko.

Reagimi i plotë:

SFIDA ME VOTEN JASHTE VENDIT

Ndryshimi i Kodit Zgjedhor e ka bërë votimin e shtetasve shqiptarë jashtë vendit një detyrim ligjor.

Nga përfaqësues të strukturave të Komisonit Qëndror të Zgjedhjeve po vinë deklarime kontradiktore.

Dje anëtari i KAS (Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve) bëri në media komentin se “…Objektivisht është e pamundur vota e emigrantëve në zgjedhjet e 25 prillit. Sepse nuk ka një regjistër për të treguar se kush është regjistruar ku. Sepse vota hidhet aty ku je regjistruar dhe jo ku banon (!?)..”

Aludimi për mohimin e të drejtës së votës së shtetasve jashtë vendit me arsyetimin e mosrregjistrimit të adresës është i qartë në paqartësi.

Në se dikush ka ndryshuar adresën të cilën ka vendosur në momentin e plotësimit të dokumentave për kartën e identitetit dhe pasaportën biometrike cdo shtetasi jashtë vendit, atij i lind e drejta të aplikojë për ndryshimin e adresës (së ndryshuar) për tu bërë rregullimi në rregjistrin e gjendjes civile.

Zbatimi i Ligjit Nr. 14/2016 “Për identifikimin dhe rregjistrimin e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë” është ndihmues në verifikim dhe korrigjues. Ky ligj në asnjë rast nuk sfidon të drejtën e votës për shtetasit jashtë vendit. Ajo garantohet nga Kodi Zgjedhor i votuar me shumicë të cilësuar në Kuvendin e Shqipërisë.

Në aktin nënligjor të Ligjit Nr. 14/2016, në pikën 6 të Vendimit Nr. 915, datë 4.11.2020 të Këshillit të Ministrave “Deklaruesi plotëson formularin e deklarimit të adresës me të dhënat e adresës së saktë në shtetin ku ka vendbanimin e përhershëm, për veten e tij dhe/ose edhe për anëtarët e së njëjtës certifikatë familjare, në rastin kur ata jetojnë me deklaruesin.”

Ky rregjistrim “në grup” nga një familjar për anëtarët e tjerë të familjes bën të qartë se “rregjistrimi” i adresës sipas Ligjit Nr. 14/2016 është larg standartit për ta barazuar atë me rregjistrimin për votim.

Me shkresën e datës 23 dhjetor, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ju drejtua me shkresë Drejtorisë së Gjendjes Civile për identifikimin e shtetasve që banojnë jashtë vendit.

Kjo është një lëvizje e duhur ligjore e Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve. Ajo vlerëson se e drejta e votës lidhet VETEM me rregjistrin e gjendjes civile.

Cdo tentativë për të bllokuar aplikimin e të drejtës së votës të shtetasve jashtë vendit me justifikimin se nuk janë rregjistruar “të gjitha” adresat do të ishte moszbatim i një detyrimi ligjor të Kodit Zgjedhor.

Një koment i imi në mbledhjen e fundit të nënkomisionit të diasporës dhe migracionit u hoq nga konteksti në disa media dhe më nxori në “konkluzionin” e cuditshëm se “… votimi nuk ka nevojë për regjistrimin e adresave…”(!)

Në Kuvendin e Shqipërisë është i rregjistruar i gjithë proceverbali e mbledhjes në fjalë. Ky fakt më “përplasi”, sipas medias, edhe me kryetarin e Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.

Padiskutim, adresa jashtë vendit është e nevojshme për votimin pasi aty do të trokasin për të marr zarfin e votës.

Ajo që ka rëndësi, është se e drejta e votës për shtetasit jashtë vendit të rregjistruar në rregjistrin e gjendjes civile nuk mund të refuzohet nga procesi i rregjistrimit adresave të shtetasve jashtë vendit.

Shtetasit të cilët kanë adresën e saktë jashtë vendit, në rregjistrin e gjendjes civile, janë votues me të drejta të plota ligjore.

Me trajtimin sipërfaqësor të Ligjit Nr. 14/2016 imagjinoni që një shtetasi që sapo ka marrë pasaportën, përshembull në Greqi, ti kërkosh të aplikojë sërish tek e-albania për të pasur të drejtën e votimit…(!)

Kush kërkon një rregjistrim të ashtuquajtur të “plotë” të adresave të shtetasve jashtë vendit për tu “dhuruar” pastaj të drejtën kushtetuese të votës gabohet. E drejta dhe procedura nuk kanë konflikt. Rregjistrimi i “plotë” i adresave do kthehet shpejt në një cështje e cila do të diskutojë edhe vetë kredibilitetin e zgjedhjeve.

Pas ndryshimit të Kodit Zgjedhor, shtetasit të cilët konfirmohen nga rregjistri i gjendjes civile se banojnë jashtë vendit duhet të largohen nga listat zgjedhore të votuesve brenda vendit.

Shtetasit që banojnë jashtë vendit, janë subjekt i një liste tjetër zgjedhore.

Nga kjo listë, do të krijohet lista e votuesve jashtë vendit. Ajo do të krijohet pasi cdo shtetas nga lista e shtetasve jashtë vendit aplikon personalisht pranë Komisionit Qëndror i Zgjedhjeve. Në këtë aplikim, sërish, do të jetë detyruese adresa e banimit jashtë vendit.

Sa mandate i takojnë cdo qarku elektoral, pas largimit nga listat zgjedhore të votuesve brenda vendit të emrave të cilët konfirmohen ligjërisht se nuk jetojnë në Shqipëri? Kjo është një pyetje, përgjigjen e së cilës e ka vetëm Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.

Pohimi i një “gjykatësi” të saj, se pa mbaruar rregjistrimi i adresave të shtetasve jashtë vendit nuk mund të ketë aplikim te së drejtës të votës jashtë vendit, funksionon njëlloj për të aluduar, se pa larguar të gjithë shtetasit me banim jashtë vendit nga listat zgjedhore brenda vendit zgjedhjet nuk mund të zhvillohen në 25 prill të vitit që vjen. Kjo logjikë shakatërron zgjedhjet!

Sikur, edhe vetëm një votues jashtë vendit, të plotësojë kushtet ligjore për të votuar Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka detyrimin ti plotësojë kushtet e aplikimit të së drejtës së votës. Cdo diskutim tjetër është antiligjor.

Tashmë është e sigurtë, shtetasit tanë jashtë vendit do të “kthehen” në shtëpi me votë! Vota e tyre nuk ka rendësi për ngjyrën politike. Askush nuk duhet ti frikësohet adresës politike të kësaj vote. Ajo është votë e njerzve që duan vetëm Shqipërinë”, shkruan Majko.

Më herët ministri i Shteti për Diasporën, Pandeli Majko në një intervistë në studion e “ABC” tha se vota e emigrantëve është një e drejtë Kushtetuese.

Gjatë intervistës, Majko tha për gazetarin Endri Xhafo se në bashkëpunim me OSBE është organizuar një aktivitetet vetëm për të drejtën e votës jashtë vendit, ndërsa shtoi se anëtarët e komisionit nuk morën pjesë në atë takim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat