Historiani Romeo Gurakuqi hedh poshtë njoftimet për lidhje të tij me Sigurimin famëkeq të Shtetit

Shqipëria

Historiani Romeo Gurakuqi hedh poshtë njoftimet për lidhje të tij me Sigurimin famëkeq të Shtetit

Më: 31 dhjetor 2020 Në ora: 19:30
Romeo Gurakuqi

Në Shqipëri, historiani i njohur Romeo Gurakuqi hodhi poshtë njoftimet për lidhje të tij me Sigurimin famëkeq të Shtetit gjatë diktaturës komuniste.

Profesor Gurakuqi është një nga autorët më të njohur, që po shkruajnë mbi historinë e Shqipërisë gjatë shekullit të kaluar, duke shmangur falsifikimet e historiografisë së regjimit komunist dhe po ndriçojnë krimet e diktaturës.

Historiani Gurakuqi, ish-deputeti i Partisë Demokratike të opozitës, ka paditur në gjykatë për shpifje dhe dëmtim të figurës ish-Presidentin e Republikës dhe ish-ministrin e brendshëm, Bujar Nishani, pas komenteve të këtij të fundit në rrjetet sociale mbi lidhje të mundshme me Sigurimin famëkeq të Shtetit.

Profesor Gurakuqi përgënjeshtron gjithçka nga mjediset e Autoritetit mbi Informimin mbi Dokumentat e Sigurimit të Shtetit, ku sot mori për herë të tretë një vendim mbi pastërtinë e figurës së tij në raport me regjimin komunist, pas një verifikimi kapilar në gjithë burimet e të dhënave të diktaturës komuniste.

“E gjithë mjegulla e hedhur në opinionin publik kundër personit tim dhe njerëzve të familjes sime nga ish - presidenti i Republikës përbën një shpifje të mirëfilltë, një përpjekje për të më dëmtuar imazhin, shantazh kundër personit tim. Rasti është flagrant dhe përbën skandal të paprecedent në jetën publike të Shqipërisë së 30 viteve të fundit, që nuk mund të kalohet lehtë, as nga unë as nga organet e drejtesisë dhe ligjit të Republikës së Shqipërisë” - deklaron zoti Gurakuqi.

Një natë para Krishtlindjes zyrtari i lartë i Partisë Demokratike, ka aluduar në rrjetet sociale se profesor Gurakuqi ose një a dy pjesëtarë të familjes së tij, kanë qenë pjesë e informatorëve të Sigurimit të Shtetit, duke publikuar edhe numra kartelash, dosjesh dhe pseudonime agjentësh.

Ai thotë se nuk mund të heshtë dhe nuk mund të pranojë njollosje të tilla dashakeqe, pas 3 dekadash kur gjithë klasa politike e tranzicionit nuk pranoi të hapë dosjet e Sigurimit famëkeq.

Sipas ligjt, figura e tij është verifikuar edhe dy herë të tjera më parë, edhe para se të bëhej deputet edhe para se të konkurronte për anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Krahas shpifjes dhe dëmtimit të imazhit, procesi gjyqësor mund të përfshijë edhe një seri ligjesh, që kanë të bëjnë me sekretin shtetëror, të dhënat personale dhe mbi policinë e shtetit, ngaqë përmenden emra të tjerë pa lidhje me familjen Gurakuqi, pa përmendur edhe intrigat partiake në radhët e opozitës.

Zoti Gurakuqi thotë se do ta çojë deri në fund përpjekjen e tij së pari për të vërtetuar pastërinë e tij, së dyti për t’i dhënë fund praktikës së përbaltjes pa të drejtë të figurave publike, për të frikësuar ata dhe për t’u ndërprerë karrierat e tyre, për t’u hapur rrugën ca të tjerëve.

Ai tha se "kurrë nuk do isha afruar në dyert e parlamentit shqiptar si deputet nëse gjyshi, babai apo ai vet të kishin një pikë të zezë në jetën e tyre, që i lidhte me diktaturën".

Historiani Romeo Gurakuqi është autor i një serie studimesh dhe botimesh mbi historinë e Shqipërisë, që hedhin poshtë historiografinë e deformuar të diktaturës komuniste.

Ai ka dhënë një ndihmesë të konsiderueshme në ndriçimin e ngjarjeve tragjike të Shqipërisë nga fillimi i shekullit të kaluar dhe gjatë regjimit komunist, të cilat janë fshehur qëllimisht për shumë dekada./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat