Dinamika e plotë: Autori përdori si karem një fëmijë të lagjes për t’i hapur derën dy motrat, u zbrazi në trup 26 plumba

Shqipëria

Dinamika e plotë: Autori përdori si karem një fëmijë të lagjes për t’i hapur derën dy motrat, u zbrazi në trup 26 plumba

Më: 2 janar 2021 Në ora: 11:12
Përparim Ademi

Plot 26 plumba kallashnikovi, janë zbrazur në drejtim të dy motrave, Kristina Bardhi dhe Zhaneta Metani, të cilat u ekzekutuan mesditën e 31 dhjetorit 2020 në zonën e Astirit në kryeqytet.

Policia dhe prokuroria e Tiranës, kanë mbledhur në vendgjarje 26 gëzhoja, ndërkohë gjetën brenda shtëpisë dhe një automatik, prodhim kinez me karikatore të boshatisur.

Të gjithë plumbat që ndodheshin në karikator janë zbrazur në drejtim të Zhaneta Metanit, e dashura e autorit të krimit Përparim Ademi dhe motrës së saj Kristina Bardhi.

Të dy trupat janë bërë shoshë nga predhat, ndërsa dëmtime ka dhë në muret e shtëpisë, dysheme dhe disa plumba janë ngulur në frigorifer.

Dinamika e krimit
“Ora News”, ka mundur të zbardhë të gjithë dinamikën e këtij krimi të rëndë, që me sa duket do çojë në ditët në vijim, në dënimin me burgim të përjetshëm të Përparim Ademit.

Ky i fundit është një personazh që bënte një jetë mes Tiranës dhe Maqedonisë, ku në këtë shtet ishte martuar dhe kohët e fundit ishte divorcuar, duke krijuar një raport intim me Zhaneta Metanin në Tiranë.

Për anëtarët e grupit të hetimit, ngjarja ka të bëjë me motivin e xhelozisë, pasi Zhaneta Metani, kishte vendosur ti jepte fund lidhjes me Përparim Ademin, çka ka sjellë dyshimet e këtij të fundit për një lidhje tjetër që e dashura e tij mund të kishte krijuar.

Sherri që nisi më 30 dhjetor

Një ditë para krimit, në 30 dhjetor 2020, mes Përparim Ademit dhe dy motrave Kristina Bardhi e Zhaneta Metani, ka pasur një konflit verbal dhe fizik. Ademi, kërkonte që të ribashkoheshin pasi ai kishte sakrifikuar shumë kohë dhe para, për Zhanetën.

Por kjo e fundit ka vijuar ta refuzojë dhe për pasojë dy motrat, e Përparim Ademi, janë përplasur fizikisht. Pas këtij sherri të ndodhur në datën 30 dhjetor, dy motrat e kanë kërcënuar Ademin, se do shkonin ta bënin denoncim në polici për “Dhunë në familje”.

Të dyja palët janë ndarë të tronditura. Por në mesditën e 31 dhjetorit 2020, Përparim Ademi, është shfaqur përballë ndërtesës ku banonin dy motrat, Kristina Bardhi dhe Zhaneta Metani.

Fëmija karem
Motrat e mbanin derën mbyllur, dhe për të hyrë brenda në banesë, Ademi ka përdorur si karem një fëmijë të lagjes, i cili po luante para pallatit.

Ndërkohë me vehte Ademi ka pasur një çantë,në të cilën kishte futur një kallashnikov, prodhim kinez. Nuk dihet me saktësi se ku e ka gjetur armën, por plani i Ademit ka qënë asgjësimi i dy motrave.

Ademi së bashku me fëmijën e lagjes që e mori si karem, shkoi në banesë dhe sipas policisë ka qënë fëmija ai që ka trokitur në derën e shtëpisë.

Motrat e kanë parë dhe nuk kanë dyshuar në asnjë moment, se ky ishte një kurth i ngritur nga njeriu që një ditë më parë ishin konfliktuar, Përparim Ademi.

Sapo kanë konstatuar prezencën e fëmijës, pasi ato e njihnin, Zhaneta Metani, ka hapur derën. Teksa dera është hapur, ka hyrë në mënyrë të befasishme, Përparim Ademi.

Të dyja motrat e kanë kundërshtuar fizikisht me qëllim për ta nxjerë jashtë, por Ademi ka aritur të hapë çantën dhe të marrë automatikun.

Masakra brenda ambjenteve të shtëpisë dhe në sy të dy fëmijëve sapo kishte filluar. Ai ka qëlluar me breshëri Zhanetën dhe më pas Kristinën.

Teksa këto janë rrëzuar në dysheme, Përparim Ademi, është afruar dhe ka vijuar të qëllojë nga një distancë shumë e afërt, nga lartë-poshtë, duke i masakruar me plumba.

Ademi ka vijuar të qëllojë deri në momentin kur në karikator nuk ka pasur me plumba. Disa predha janë gjetur të ngulura në muret e shtëpisë, disa të tjera në dysheme dhe një predhë është gjendur në frigorifer.

Ngjarja është parë nga fëmija që Ademi përdori si karem dhe fëmija tjetër i, Kristina Bardhit.

Pas krimit, Ademi ka lënë armën dhe më pas është larguar në drejtim të paditur.

Por fatmirësisht është arrestuar nga patrullat e “Shqiponjave” në zonën e shkollës “Vasil Shanto”.

Ai ka pranuar autorësinë e krimit dhe ka shfaqur pendesë, po ka treguar se gjithçka ka ndodhur në gjaknxehtësi.

Momentalisht çështja është marrë në hetim nga prokurori Albert Demirneli, i cili i ka kërkuar gjykatës së Tiranës, caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për Përparim Ademin.

Ademi pritet të dalë sot para gjykatës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat