Dështim i Ramës, apo, dështim i Bashës

Shqipëria

Dështim i Ramës, apo, dështim i Bashës

Nasho Bakalli Nga Nasho Bakalli Më 2 janar 2021 Në ora: 11:33
Edi Rama dhe Lulzim Basha

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në reagimin e tij, dje, dhënë për media - pas njoftimit të bërë nga kryeministri Edi Rama, se vendi ynë ka siguruar 500 mijë doza vaksine nga Pfizer - thekson se “Si përherë, Rama përpiqet t’i shesë dështimet si suksese”… dhe …”Rama shkoi në Nju Jork për të blerë këpucë të reja!”

Kjo meseleja e këpucëve që thotë Lulzim Basha - se ajo e 500 mijë vaksinave të Edi Ramës është padyshim një sjellje politike humanitare - më solli në mëndje njoftimin me titull “Kapet një hajdut këpucësh” botuar në vitin 1930, në rubrikën “Ngjarje nga Durrësi” të gazetës “Vullneti i Popullit”, ku thuhej mes fjalëve të tjera se… ditën e enjte ishte paraqitur në dyqanin e këpucëve të zotit A.B një djalosh, i cili i kërkoi pronarit të dyqanit një palë këpucë të modës fundit, ngjyrë të zezë, nr.44, për hesap të zotërisë së tij L.V. Pronari A.B i tha djaloshit se nuk po e njifte. Jam ciraku më i ri… kam filluar punë vetëm tre ditë ma parë - iu përgjegj djaloshi. A.B ia dha këpucët djaloshit, mbasi i mbështolli ato me kujdes dhe i futi në një trastë letre. Djaloshi përshëndeti kokëulur dhe u largua duke i mbajtur këpucët para me të dyja duart.

Pasi kaluan nja dy ditë A.B i çeli një telefonatë L.V me e pyet për shëndetin, dhe se si i kishin ra këpucët e reja.

L.V i tha se këpucët ma të reja i kishte blerë para një viti, te dyqani i Tofik beut…

Në përfundim A.B njoftoi policin e vetëm - që ruante gjithë lagjen “Kala” të qytetit - për marifetin që i kishte punue djaloshi.

Të nesërmen, polici në fjalë e kishte gjet dhe arestue djaloshin në treg ndërsa bante pazar me një qytetar për me i shit këpucët e vjedhura.

Eh po, thashë me veten time, kaq të trashë i di ky Lulzim Basha anëtarët dhe përkrahësit e PD sa të mahniten me përallën e tij me titull "Rama shkoi në Nju Jork për të blerë këpucë të reja!”, dhe, jo vetëm të mahniten por edhe që ta konsiderojnë blerjen e këpucëve si dështim të Edi Ramës, ndërsa kapjen nga Basha të momentit të blerjes nga Rama të këpucëve të reja - si një sukses politik të Partisë Demokratike!?

Qofsha gabim po për mua është më interesant lajmi për veprimin e policit të Durrësit ndaj djaloshit që vodhi, para 90 vitesh, këpucët në dyqanin e A.B, se sa kumti i Lulzim Bashës se e paska diktuar Edi Ramën duke bërë shopping, blerë këpucë të reja, brënda orarit zyrtar, pak mbas mesdite, në një kohë pa diell (të vranët), në një prej dyqaneve, që gjenden, në krah të një rruge kryesore… në New York.

Për të mos u zgjatur. Ky zotia, Lulzim Basha, si politikan, më ngjan - në mes të këtij qameti të zi që na ka rënë në kokë me koronavirusin - si personazh i një libri që krejt papritur e kanë marë dhe e kanë bërë pjesë të faqeve të një libri tjetër të cilit ai nuk ia di fundin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat