Sigurimi i vaksinës anti-Covid/ Ish-deputeti i LSI: Qeveria të bëjë publike kontratën, burimin, kushtet dhe strategjinë e zbatimit!

Shqipëria

Sigurimi i vaksinës anti-Covid/ Ish-deputeti i LSI: Qeveria të bëjë publike kontratën, burimin, kushtet dhe strategjinë e zbatimit!

Më: 3 janar 2021 Në ora: 14:17
Vangjel Tavo

Dy ditë pasi kryeministri Edi Rama dha lajmin se qeveria ka siguruar 500 mijë doza të vaksinës anti Covid ka reaguar edhe ish-deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo.

Në një postim në Facebook, Tavo kërkon nga qeveria që të bëjë publike kontratën, burimin, kushtet dhe strategjinë e zbatimit.

Tavo ngre disa pyetje, ndërsa thekson se vaksinat kërkojnë kushte shumë të rrepta transporti dhe përdorimi.

Sipas  tij, ky është një moment i rëndësishëm për shëndetin publik dhe nuk duhet të bëhet propagandë.

“Qeveria deklaroi se 10,750 dozat e para të vaksinës do të mbërrijnë në Shqipëri brenda janarit si pjesë e blerjes së 500 mijë dozave nga kompania Pfizer.

Së pari, Shqipërisë i nevojiten me miliona vaksina pasi vaksinat e Pfizer kërkojnë vaksinim të dytë.

Që do të thotë dyfish numër vaksinash për të gjithë popullatën.

Për më tepër, duke qenë se kjo qeveri është më e pabesueshmja në kontinent, ajo nuk ka bërë të ditur se me çfarë kushtesh është arritur blerja e vaksinave, ndaj duhet të bëjë publike kontratën, burimin dhe kushtet.

Gjithashtu të bëjë publike edhe strategjinë e vaksinimit pasi është një proces i gjatë dhe i vështirë.

Cili është afati i vaksinave?

Cilat kategori do vaksinohen të parat?

Cila është strategjia e organizimit?

A është trajnuar stafi i posaçëm?

Vaksinat kërkojnë kushte shumë të rrepta transporti dhe përdorimi. A janë marrë të gjitha masat?

Ky është një moment tejet i rëndësishëm për shëndetin publik. Një proces që nuk ka kurrësesi vend për propagandën e zakonshme të kësaj qeverie por kërkohet profesionalizëm maksimal.

Ndryshe nga aferat e errëta të 7 viteve, në këtë çështje që ka të bëjë me jetën e njerëzve, duhet të bëjë publike marrëveshjen për vaksinat dhe strategjinë e zbatimit.

Aq e pabesueshme është kjo qeveri sa që çdo fjalë e saj është vetëm mashtrim. Dhe me jetën e njerëzve të thjeshtë nuk mund të luhet apo mashtrohet”, shkruan Vangjel Tavo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat