Vaksinimi në ''Air Albania'', Shehu: Lojë propagandistike, dozat e para s'mbulojnë as çerekun e bluzave të bardha

Shqipëria

Vaksinimi në ''Air Albania'', Shehu: Lojë propagandistike, dozat e para s'mbulojnë as çerekun e bluzave të bardha

Më: 4 janar 2021 Në ora: 14:31
Tritan Shehu

Ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu në Euronews Albania e quajti një lojë propagandistike përshtatjen e stadiumit "Air Albania” në një qendër vaksinimi anti-COVID.

“Një tjetër show i panevojshëm që duhet t’ua kursejmë shqiptarëve. Ndërkohë që duhet të punonin për të siguruar në mënyrë të plotë vaksinat në kohën e duhur dhe sasinë e duhur dhe të shpërndaheshin në të gjithë territorin e vendit”, u shpreh ai.

“Sot bëhet një lojë propagandistike. Pse duhet të vaksinohen në stadium njerëzit? Në të gjithë Evropën njerëzit vaksinohen në qendrat shëndetësore, atje rregullohen edhe ambientet. Fakti që kërkon ta bëjë një stadium, për mua është një absurditet që shton shpenzimet. Në këto kushte e shoh në skepticizëm të gjithë këtë”, tha ai më tej.

Shehu nënvizoi se me vaksinat që priten të vijnë në Shqipëri, nuk mund të vaksinohet as çereku i personelit shëndetësor.

“Kryeministri na thotë që në janar do të vijnë 10 mijë doza vaksinash. Mund të përdoren vetëm për 5 mijë. Në këtë mënyrë nuk mund mbulosh as çerekun e personelit shëndetësor, jo më të personave në risk”, u shpreh ish-ministri i Shëndetësisë.

Sipas tij “duhet të ishte bërë publike prej kohësh kontrata me Pfizer” dhe se në total duhet të vaksinohen 2 milionë e 400 mijë shqiptarë.

“Shqipëria ka 2 milionë e 800 mijë banorë. Sipas kalkulimeve nga 2 milionë e 800 mijë banorë, duhet të vaksinohen rreth 2 milionë 400 mijë", theksoi Shehu. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat