Zëdhënësi i Metës i përgjigjet Ramës për fondin saudit

Shqipëria

Zëdhënësi i Metës i përgjigjet Ramës për fondin saudit

Më: 4 janar 2021 Në ora: 21:13
Tedi Blushi

Pas akuzave të Edi Ramës në Vlorë se Presidenti bllokon plotfuqishmërinë sa i përket miratimit të një fondi saudit për investime në Vlorë, zëdhënësi i kreut të Shtetit, Tedi Blushi thotë se kryeministri në detyrë synon që në shkeljet e rënda për këtë marrëveshje, të përfshijë dhe Presidentin e Republikës.

Sipas tij, Presidenti Meta është i vendosur dhe nuk do të tolerojë në asnjë rast shkeljen e Kushtetutës.

Nga Vlora, Rama tha se nga nëntori presin plotfuqinë e kreut të shtetit lidhur me një fond saudit që sipas Ramës është bllokuar, në mungesë të autorizimit formal të presidentit.

Reagimi i plotë i Blushit

Pas inskenimeve dhe deklaratave të papërgjegjshme, të bëra sot në Vlorë, nga Kryeministri ende në detyrë, për nevoja të propagandës së tij elektorale, jemi të detyruar të bëjmë publik qëndrimin zyrtar të Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta: “Mbi përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe ligjore për lidhjen e marrëveshjes së Huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, për Projektin e ‘Rehabilitimit dhe ndërtimit të objekteve në afërsi të rrugës bregdetare (Vlorë-Orikum)’”.

Nga kjo letër, drejtuar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si dhe Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, evidentohet qartë se Presidenti Meta në mënyrë të përsëritur ka kërkuar informacion mbi arsyet pse nuk është respektuar procedura kushtetuese dhe ligjore për t’u pajisur me autorizim nga Kreu i Shtetit, për të negociuar termat financiarë të një marrëveshje huaje, që lidhet në emër të Republikës së Shqipërisë.

Është tashmë e qartë se, Kryeministri ende në detyrë synon, që në shkeljet e rënda për këtë marrëveshje, të përfshijë dhe Presidentin e Republikës, me qëllim, që këtë model antikushtetutshmërie, ta përdorë edhe në praktika të tjera të ngjashme, që Qeveria ka në proces.

Presidenti Meta, sikundër ka bërë publike, është i vendosur dhe nuk do të tolerojë në asnjë rast shkeljen e Kushtetutës.

Presidenti Meta, garanton qytetarët e Qarkut të Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë se është i vendosur të mbrojë interesin publik dhe njëkohësisht do të respektojë kërkesat e tyre për investime publike, pa i lënë shteg Kryeministrit ende në detyrë, që të shpërdorojë fondet shtetërore për qëllime selektive elektorale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat