Tritol pallatit në ndërtim, 21-vjeçari mohon akuzat në gjyq

Shqipëria

Tritol pallatit në ndërtim, 21-vjeçari mohon akuzat në gjyq

Më: 5 janar 2021 Në ora: 09:23
Erald Pajtani

Gjykata e Lezhës ka lënë në burg 21- vjeçarin, Erald Pajtani, i vënë nën akuzë për vënien e një sasie lëndë plasëse në kolonat e një objekti në ndërtim, në zonën e “Ranës së Hedhur”, në Shëngjin.

Në seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura, mësohet se i riu nga Larushku i Krujës, nuk ka folur në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij. Por referuar provave të paraqitura nga Prokuroria, Gjykata e cilësoi të ligjshëm ndalimin e personit nën hetim, duke vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mbajtja pa leje e municioneve luftarake” dhe “Kanosje”. Ndërkohë, gjatë marrjes në pyetje nga oficerët e Policisë Gjyqësore, 21-vjeçari ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen.

ARRESTIMI

Erald Pajtani u arrestua më 31 dhjetor si i dyshuar për vendosjen e lëndës plasëse në kolonat e objektit në ndërtim në pronësi të biznesmenit Liman Gjoka, ngjarje e ndodhur me 19 nëntor të vitit 2020. Referuar dosjes hetimore bëhet e ditur se ndalimi i të riut erdhi pas identifikimit të një automjeti, i cili dyshohet të jetë përdorur për sulmin me tritol.

Makina në fjalë, e cila është filmuar nga një kamera sigurie në zonë, rezulton të jetë marrë me qira në një servis nga Erald Pajtani, por ka dyshime që në këtë ngjarje të jenë të përfshirë dhe persona të tjerë, por që ende nuk janë identifikuar. Objekti në ndërtim në pronësi të biznesmenit Liman Gjoka u sulmua dy herë me lëndë shpërthyese në harkun kohor të tre javëve, ndërsa për ngjarjen e dytë e cila ndodhi më 11 dhjetor të vitit 2020, ende nuk ka asnjë person të ndaluar, teksa dëmet e shkaktuara kanë qenë të konsiderueshme.

OBJEKTI NË NDËRTIM

Biznesmeni Liman Gjoka po ndërton në Shëngjin një hotel dhe apartamente për shitje në bregun e detit të “Ranës së Hedhun”. Kjo zonë turistike, mjaft e lakmuar nga turistët është kthyer në kantier ndërtimi gjatë dy viteve të fundit, pas miratimit të planit strategjik të zhvillimit të saj.

Në dëshminë e tij të dhënë në polici, biznesmeni Liman Gjoka ka deklaruar se pronën ku po ndërton e ka blerë shumë vite më parë dhe se nuk ka asnjë konflikt që mund të motivojë sulmin ndaj tij ose kompanisë.

Por, pavarësisht deklarimeve të sipërmarrësit, pistat kryesore e hetimit të Policisë kanë qenë ajo e konflikteve të pronësisë, por hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që ngjarjet mund të kenë ardhur edhe për shkak të konkurrencës në sektorin e ndërtimit.

Nga ana tjetër 21-vjeçari i ndaluar si i dyshuar për ngjarjen nuk rezulton të ketë ndonjë konflikt me biznesmenin, por ka dyshime se mund të jetë nxitur dhe paguar për të sulmuar më lëndë plasëse objektin në ndërtim natën e 19-nëntorit të vitit 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat