Flet një nga vajzat e larguara nga shtëpia: Ikëm me dëshirë, fjetëm në disa hotele

Shqipëria

Flet një nga vajzat e larguara nga shtëpia: Ikëm me dëshirë, fjetëm në disa hotele

Më: 6 janar 2021 Në ora: 10:46
Ilustrim

Një prej vajzave 16-vjeçare nga Tirana, të cilat u gjetën në Përmet pasi ishin zhdukur prej 4 ditësh, ka treguar para grupit hetimor arsyen e largimit nga shtëpia.

Ajo ka deklaruar se familjet e tyre kishin konflikte të vazhdueshme, ndërsa është shprehur se janë larguar nga shtëpia me dëshirë, pasi donin t’i jepnin një mësim familjeve të tyre.

“Familjet tona grinden shpesh, disa herë na bërtisnin edhe neve. U zunë edhe natën e Vitit të Ri. Nga shtëpia kemi ikur me dëshirë. Donim t’u jepnim një mësim familjeve, – tregon njëra prej tyre, sipas "Abc news". – Me vete kishim 400 mijë lekë të vjetra, janë kursime që i kemi mbledhur ne vetë. Deri në Përmet shkuam me makina dhe furgona të rastit", – tregon ajo.

Sipas adoleshentes, kjo nuk ishte hera e parë që ato kishin shkuar në këtë qytet.

"E njohim mirë atë zonë sepse është vendlindja e gjyshërve, kemi shkuar disa herë më parë për pushime. Kemi fjetur në disa hotele, na mbaruan lekët dhe kishim vendosur të ktheheshim dhe t’i tregonim policisë”, ka rrëfyer 16-vjeçarja.

Dy vajzat e mitura që rezultuan të humbura prej datës 1 janar dhe që ishin shpallur në kërkim nga policia pas denoncimit të familjarëve të tyre, u gjetën dje në Përmet.

Dy 16-vjeçaret, me iniciale M.H., dhe K.A., dolën nga shtëpitë e tyre rreth orës 09:00 të mëngjesit të datës 1 janar, duke humbur më pas çdo kontakt me familjen.

Secila prej tyre u kanë thënë prindërve se do shkonin tek njëra-tjetra për të uruar për Vitin e Ri. Ndërkohë, pas dreke prindërit i kanë marrë në telefon dhe të dyja i kanë pasur të fikur. Zhdukja e tyre alarmoi policinë dhe tronditi opinionin publik. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat