Caka: LSI e ka të qartë misionin e saj, përfshirja e të rinjve në politikë nuk është eksperiment

Shqipëria

Caka: LSI e ka të qartë misionin e saj, përfshirja e të rinjve në politikë nuk është eksperiment

Më: 7 janar 2021 Në ora: 14:54
Silva Caka

Ish-deputetja e LSI, Silva Caka në një intervistë për Ora News ka folur më shumë për vizionin e LSI në zgjedhje, si dhe për largimet nga kjo forcë politike.

Caka ka thënë se LSI e ka shumë të qartë misionin e saj të bazuar te rinia, gruaja dhe integrimi evropian.

“LSI nuk bën blerje. Edhe vetë fakti që një parti politike është në opozitë dhe jo në pushtet, është e qartë që nuk ka blerje por vetëm afrim mendimesh dhe ideologjish të caktuara ose për afrim të interesave që njerëz të caktuar e shikojnë si madhor dhe si prioritar. Misioni i LSI ka qenë shumë i qartë. Rinia ka qenë një nga fokuset kryesore, trajtimi i gruas me më shumë dinjitet, me më shumë përfshirje politike njëkohësisht. Gjithashtu të mos harrojmë edhe integrimin evropian. Pra këto tre shtylla janë baza e LSI.

Sigurisht që ka një program se si do të realizohen këto, besoj që ditë pas dite e kemi shfaqur dhe alternativat që ne ofrojmë për rikthimin e të rinjve në Shqipëri ose qëndrimin e atyre që ende janë në Shqipëri. Për afrimin e gruas dhe vendosjen e saj në një status tjetër social, politik dhe ekonomik. Integrimi evropian është ajo që ne na intereson më tepër dhe që kërkon disa veprime të ndërmarra dhe të ndërlidhura me njëra-tjetrën, që t’i japësh shansin Shqipërisë që të kenë një datë për çeljen e negociatave.

Kemi parë vetë arsye të ndryshme dhe shkaqe që e kanë shtyrë këtë datë dhe e kanë refuzuar. Jo vetëm kaq, por kemi parë edhe fqinjët tanë që të refuzohen për fajin tonë. Kjo është ajo që njerëzit i largon nga forca politike që është aktualisht në pushtet dhe i afron drejt LSI apo të tjerëve. Ka një pakënaqësi shumë të madhe, revoltë për mënyrën se si është menaxhuar ekonomia, asetet publike”,ka thënë Caka.

E pyetur për largimin e  fundit nga Lëvizja Socialiste për Integrim, të ish-ministrit Nasip Naço, ish-deputetja nuk ka preferuar të flasë shumë, teksa ka shtuar se arsyeja e distancimit të tij kanë qenë çështje personale.

“Kjo shprehje nuk ka lidhje me LSI, sepse jemi mision në vetvete dhe jo eksperiment politik. Unë nuk kam ndërmend të komentoj dhe gjykoj arsyet personale dhe subjektive, sepse në dijeninë time nuk ka asnjë arsye objektive për rastin konkret (Nasip Naço). LSI është një realitet politik dhe nëse ne do ta quajmë përfshirjen  e më shumë të rinjve në politikë si një eksperiment do të ishte një turp për të gjithë ata që kanë dhënë një kontribut apo kanë aderuar në LSI prej vitesh, apo që kanë mbajtur edhe pozicione të larta.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat