Reshjet intesive të shiut, Meta i bën thirrje qeverisë dhe bashkive të marrin masa për të shmangur përmbytjet

Shqipëria

Reshjet intesive të shiut, Meta i bën thirrje qeverisë dhe bashkive të marrin masa për të shmangur përmbytjet

Më: 7 janar 2021 Në ora: 15:43
Foto ilustrim

Marrë shkas nga situata e përkeqësuar e motit, me reshje të shumta shiu, presidenti Ilir Meta, i bën thirrje Qeverisë, ministrive përgjegjëse, prefekturave dhe bashkive në zonat me rrezikshmëri të lartë përmbytjeje, të marrin në konsideratë këto paralajmërime serioze dhe të garantojnë urgjentisht:

– Informimin me transparencë dhe në kohën e duhur të popullatës, që jeton në zonat me rrezik potencial përmbytjeje, me qëllim garantimin e jetës dhe minimizimin e pasojave në prona e bagëti;

– Garantimin me rezerva të mjaftueshme ushqimore për popullatën dhe blegtorinë;

– Vendosjen e hidrovoreve në regjim gatishmërie pune, me kapacitet të plotë;

– Vënien në gatishmëri të strukturave të koordinimit, menaxhimit dhe atyre operacionale, me qëllim marrjen e të gjitha masave parandaluese për minimizimin e riskut në zonat më të ekspozuara ndaj rrezikut;

– Gatishmërinë e strukturave operacionale, grupeve të kërkim-shpëtimit, mjeteve ajrore dhe mjeteve lundruese, për garantimin në çdo kohë të operacioneve efektive, në çdo zonë, që rrezikohet nga përmbytjet;

– Marrjen e masave për kalueshmërinë normale në të gjitha akset rrugore, veçanërisht në Veri, Verilindje dhe Juglindje, që rrezikohen të bllokohen nga reshjet e dëborës dhe rrëshqitjet e dheut apo gurëve.

Thirrjen Presidenti e ndërlidh me paralajmërimet e dhëna prej ditësh nga Instituti i Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit  për një përkeqësim potencial të situatës hidrometeorologjike në të gjithë territorin e vendit, veçanërisht në ultësirën veriperëndimore, si dhe në zonat nga Shkodra në Fier.

Ndërkohë, stacionet hidrologjike në Kaskadën e lumit Drin, bëjnë me dije se për shkak të intesitetit të reshjeve, priten shkarkime të mëdha nga HEC-et dhe për pasojë parashikohet të ketë përmbytje në zonën e Shkodrës.

Kreu i Shtetit nënvizon se mbrojtja e shëndetit, jetës dhe pronës së çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë është një detyrim kushtetues, që duhet përmbushur me përgjegjshmëri maksimale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat