Erion Dasho shtron argumentat: Ja pse nuk realizohet për tre muaj diçka serioze

Shqipëria

Erion Dasho shtron argumentat: Ja pse nuk realizohet për tre muaj diçka serioze

Më: 10 janar 2021 Në ora: 10:41
Erion Dasho

Premtimi i kryeministrit Edi Rama për ndërtimin e një spitali në Fier brenda tre muajve ka sjellë një sërë reagimesh të qytetarëve, por edhe të profesionistëve të fushës së mjekësisë.

Eksperti i Shëndetit Publik Erion Dasho u shpreh se ndërtimi i një spitali është gjithëmonë i mirëpritur, duke e mbështetur tërësisht si ide, por ai ngreh disa shqetësime të tjera.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Dasho shprehet se vetëm procedurat normale siç janë rivlerësimi i studimit të fizibilitetit, përgatitja e projektit apo edhe marrja e lejës së ndërtimit kërkon më shumë se tre muaj kohë, pa llogaritur më tej edhe procedurat e tenderimit, të cilat zgjasin akoma më shumë periudhën kohore.

Mes ironisë, eksperti i Shëndetit Publik shprehet se gjetja e vendit ku do ndërtohet spitali gjatë një shëtitje është një rast unikal në botë.

“Pavarësisht nga argumentet e shumtë në favor të ndërtimit të spitalit të Levanit, të çudit lajmërimi i tij i papritur gjatë udhëtimit “kulturor” të radhës të Boratit tonë grotesk si dhe njoftimi me bujë se spitali do të ndërtohet për tre muaj!!!

Kjo u pasua nga një transmetim televiziv live ku, me nota demagogjike dhe populiste (si për të provuar se e meriton plotësisht cilësimin “Borat”), kryeministri tregon me gisht ca toka të sapodala nga përmbytja dhe urdhëron shpronësimin e tyre të menjëhershëm për të nisur ndërtimin e spitalit!!!

Pa asnjë dyshim, një përzgjedhje e tillë e vendndodhjes së spitalit, gjatë një shëtitje live, dhe një afat tre mujor për ndërtimin e tij, përbën një rast unik global! Vetëm rivlerësimi i studimit të fizibilitetit, përgatitja e projektit të detajuar të zbatimit dhe marrja e lejes së ndërtimit e kalon ndjeshëm këtë kohëzgjatje (pa llogaritur periudhën e tenderimit)”, shkruan Dasho.

Eksperti i Shëndetit Publik ka sjellë në vëmendje edhe rastin kur në Wuhan u ndërtuan dy spitale brenda pak ditësh për të përballuar pandeminë. Duke hequr një paralele me Kinën dhe vendin tonë, Dasho thotë se të ndërtosh një spital që do u përgjigjet nevojave shëndetësore të njerëzve kërkon kohë.

“Gjatë pandemisë, Kina habiti botën duke ndërtuar brenda disa ditëve dy spitale në zonën e Wuhan -it. Ato u quajtën “instant hospitals”, u ngritën në përgjigje të epidemisë dhe trajtuan për rreth dy muaj disa mijëra pacientë të prekur nga COVID. Tashmë këta dy spitale janë mbyllur, sikundër qëndron i mbyllur prej 17 vjetësh një spital i ndërtuar në mënyrë të ngjashme në përgjigje të SARS-1.

Kjo sepse të ndërtosh një spital për t’ju përgjigjur një situate mjeksore emergjente dhe të ndërtosh një spital që do t’u përgjigjet për disa dhjetëra vjet nevojave shëndetësore të një popullate janë dy gjëra krejt të ndryshme”, shkruan Dasho.

Dasho i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama se shëndeti dhe jeta e njërëzve është një çështje e rëndësishme dhe nuk duhet të shfrytëzohet sipas tij për fushatë zgjedhore.

“Shëndeti dhe jeta e njerëzve është çështje serioze! Edhe gjatë fushatës elektorale kur duhet “hapur thesi” për të mbledhur vota me çdo kusht dhe në çdo mënyrë!

Në fushën e shëndetësisë, u ke lënë shqiptarëve një trashëgimi për të qarë hallin që konsiston kryesisht në spitale të bojatisur! Dy-tre vjet pas ikjes tënde, godinave të spitaleve do t’u dalë boja dhe bashkë me të edhe “trashëgimisë” tënde!

Mos u lër në kurriz shqiptarëve edhe një çiban të përjetshëm i cili, në vend që të zgjidhë hallet shëndetësore të qindra mijëra personave, mund të krijojë një gropë shëndetësore, mjedisore, inxhinierike, urbanistike dhe financiare!

Dëgjoji njëherë profesionistët”, shkruan Dasho.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat