ISHP thirrje personave që vaksinohen/ Mos neglizhoni masat anti-covid, duhet dy javë kohë

Shqipëria

ISHP thirrje personave që vaksinohen/ Mos neglizhoni masat anti-covid, duhet dy javë kohë

Më: 13 janar 2021 Në ora: 18:21
Erida Nelaj

Menaxherja e programit kombëtar të vaksinimit në ISHP, Erida Nelaj deklaroi se të gjithë personat që bëjnë dozën e parë të vaksinës Pfizer nuk duhet të neglizhojnë masat antiCOVID.

Sipas saj  për të siguruar mbrojtjen 95 % që kjo vaksinë ofron duhet të bëhen të dyja dozat dhe të pritet edhe një periudhë 2 javore pas dozës së dytë për t’u siguruar se janë krijuar antitrupat.

Nelaj tha se sot janë kryer 60 vaksinime kryesisht nga spitalet COVID1 dhe COVID3 dhe se deri tani në tre ditët e para të vaksinimi nuk ka pasur efekte anësore.

“Sot kanë qenë 60 vaksinime nga spitali COVID 1 dhe 3. Nuk ka pasur asnjë problem në të tre ditët e vaksinimit. Është e rëndësishme të kuptohet që një vaksinë është provuar të jetë efikase pas dy dozave. Pra me dozën e parë nuk do të jenë të mbrojtur totalisht dhe nuk duhet të neglizhojnë masat mbrojtëse pasi mund të infektohen. Madje për të qenë të sigurt duhet pritur një periudhë dy javore pas dozës së dytë që mund të themi se jemi të mbrojtur 95 %”, tha Nelaj.

Nelaj tha se Shqipëria i ka kapacitetet frigoriferike për vaksinë Pfizer deri në 250 mijë doza në një kohë të vetme.

“Për Pfizer kemi frigorifer ultra të ftohtë që shkojnë deri në -80 gradë. Ne i kemi kapacitete që në një kohë të vetme të sigurojmë dhe pranojmë deri në 250 mijë doza të vaksinës Pfizer”, tha Nelaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat