Vota e emigrantëve, ende e pavendosur, Çaka: Shqiptarët jashtë vendit duhet të regjistrohen, por të kenë edhe adresë

Shqipëria

Vota e emigrantëve, ende e pavendosur, Çaka: Shqiptarët jashtë vendit duhet të regjistrohen, por të kenë edhe adresë

Më: 21 janar 2021 Në ora: 16:36
Dritan Çaka

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka një vendim nëse emigrantët do të mund të votojnë dhe mënyrën si do ta kryejnë këtë proces në 25 prill. Ndërsa votimi dhe numërimi elektronik mund të shkojë drejt dështimit, pasi PS dhe PD nuk kanë konsensus për zonat zgjedhore se ku do të pilotohet.

Tre muaj para zgjedhjeve parlamentare, shqiptarët që jetojnë jashtë vendit nuk e dinë nëse do të kenë mundësi të votojnë me 25 prill nga shteti në të cilin janë rezident.

Në një intervistë për Rtv Ora, anëtari i Rregullatorit, Dritan Çaka, shprehet se fillimisht ky proces duhet të kalojë në dy faza, para se KQZ të krijojë infrastrukturën për votimin e emigrantëve.

“Koha është pak sfiduese, deri më sot KQZ akoma nuk ka disponuar me një akt për mënyrën se kur do të realizohet procesi i votimit për emigrantët. Çdo emigrant duhet të regjistrohet që është banues në një territor jashtë Republikës së Shqipërisë dhe në momentin që do të bëjë këtë regjistrim ai patjetër që duhet të ketë edhe disa dokumenta shoqëruese për të provuar që është me vendbanim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, të tilla si qiraja e banesës. Dhe procesi i dytë është ai i votimit”.

PS ka propozuar votimin e emigrantëve me postë, ndërsa mbeten në tryezë votimi online dhe ai elektronik. Për këtë të fundit Çaka tregon skepticizmin e tij.

“Sa i përket mënyrës së votimit elektronik do të shkojë dhe me parimin e përgjithshëm të votimit elektronik që do të realizohet në Shqipëri apo jo.”

Pikërisht pilotimi i votimit dhe numërimit elektronik për jo më shumë se 20% të zgjedhësve në rang vendi mund të shkojë sërish drejt dështimit pasi PS dhe PD nuk bien dakord për zonat zgjedhore.

“Të gjejnë sa më parë gjuhën e përbashkët sepse çdo vonesë do të krijojë probleme dhe nuk do ti shërbejë jo vetëm klimës politioke, por çfarë është më e rëndësishme për ne si KQZ, realizimit të zgjedhjeve në 25 prill të 2021.”

Rreth 800 mijë zgjedhësve ju ka skaduar karta e identitetit, çka mund t’i pengojë ata me 25 prill për të votuar.

“Në mënyrë imediate të aplikojnë pranë zyrave të Aleat për të rinovuar këto karta identiteti. Në këtë moment KQZ nuk disponon ndonjë akt për shtyrjen ose jo të dokumentave të identifikimit.”

Dritan Çaka mendon se me akti normativ i KQZ për ndalimin e veprimtarive, të cilat shfrytëzojnë funksionet publike për interes të fushatës elektorale ka patur efekt pozitiv, pasi sipas tij edhe kallëzimet në faqen zyrtare kanë ardhur në rritje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat