COVID-19, mjeku Alimehmeti: Po shohim një sëmundje që është shumë intensive dhe zgjat pak ditë

Shqipëria

COVID-19, mjeku Alimehmeti: Po shohim një sëmundje që është shumë intensive dhe zgjat pak ditë

Më: 1 shkurt 2021 Në ora: 08:12
Ilir Alimehmeti

Epidemiologu Ilir Alimehmeti u shpreh në Euronews Albania se aktualisht nuk jemi në kulmin e shifrave, sa i përket situatës së koronavirusit në vend.  

“Ky nuk është kulmi, kulmi ka qenë rreth datës 1 dhjetor sepse duhet të shohim jo shifrat absolute, jo ato numrat 800 apo 900, duhet të shohim përqindjen e testeve që dalin pozitive”, u shpreh mjeku.

Mjeku renditi edhe disa nga arsyet që kanë sjellë edhe rritjen e infektimeve javët e fundit.

“Çdo virus respirator dimrin ka periudhën më të keqe, këtë e kemi shumë të qartë. Duke marrë parasysh edhe ftohjen e motit. Kjo detyron njerëzit që të qëndrojnë brenda dhe nuk ajrosin dhe aq shumë ambientet. Ka disa arsye të lidhura më stinën.  Arsye të tjera, kemi logjikën që ka qenë efekti i 2 javëshit, 10 ditëve të festave. Ai ka pasur një lloj efekti”, u shpreh mjeku.

Mjeku nuk përjashtoi edhe ekzistencën e mutacioneve të reja që mund të jenë futur në Shqipëri.

“Pastaj kemi atë të panjohurën, që ju përmendët pa më parë, sa mund të jetë depërtimi i formave të reja”, u shpreh mjeku.

“Patjetër që edhe varianti britanik është edhe në Shqipëri, ka ndonjë dyshim? Është në Greqi, Maqedoninë e Veriut, në Kosovë. Nuk është në Shqipëri?!”, tha ai më tej.

Zoti Alimehmeti shpjegoi më tej se janë ngritur dyshime pasi aktualisht kemi një sëmundje që fillon shumë shpejt, shumë intensive dhe zgjat më pak ditë.

“Ne po shohim tani një sëmundje që fillon shumë shpejt, është shumë intensive dhe zgjat më pak ditë. Ndryshon klinika në të paktën tre elementë të saj. Që do të thotë që ne na lind dyshimi klinikisht, që a kemi të bëjmë me një variant të ri këtu", përfundoi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat