Si ruhen vaksinat në Tiranë? Vëzhgimi: Zinxhiri ftohës mban 250 mijë doza në minus 80 gradë

Shqipëria

Si ruhen vaksinat në Tiranë? Vëzhgimi: Zinxhiri ftohës mban 250 mijë doza në minus 80 gradë

Më: 2 shkurt 2021 Në ora: 18:00
Ilustrim

Mbi 250 mijë doza vaksine Pfeizer që kërkon kushte ruajte -80 gradë është kapaciteti mbajtës i tre frigoriferëve të vendosur në Institutin e Shëndetit Publik dhe depon farmaceutike të QSUT. Televizioni Klan pa nga afër frigoriferët ku do të ruhen vaksinat që pritet të vijnë.

“Ne mund të mbajmë minimumi 250 mijë doza. Hapësirat janë të mjaftueshme për t’i vendosur 5 të tilla njëra mbi tjetrën. Sigurisht që temperatura është -80 gradë Celcius”.

Të dizenjuar vetëm për temperatura ekstreme, këto frigorifer nuk lejojnë që t’i mbash gjatë hapur.

“Sërish jemi në -70 gradë Celcius, edhe pse ne e hapëm, pasi rekuperohet shumë shpejt temperatura brenda.  Këta frigoriferë kanë një lloj vakumi që nuk të lejon t’i hapësh për disa minuta”.

Po cila është rruga që ndjek një vaksinë nga prodhuesi deri në këto frigoriferë të posaçëm?

“Vaksinat e Pfizer-it shpërndahen në kuti të mbushura me akull të thatë. Ky është një akull që nuk krijon lagështirë, pasi avullon. Do të thotë që kutitë nuk lagen. Gjithsesi kutitë e flakonëve janë plastike, jo prej letre. Pastaj kalojnë në frigoriferët -80 gradë Celcius. Në planin tone do t’i nxjerrim ato vetëm në momentin që do të vaksinojmë”.

Prej këtu vaksinat dalin me termobokse në drejtim të pikave të vaksinimit. Temperatura brenda tyre është plus 2, plus 8 gradë.

“Në momentin që ato dalin nga -80 gradë Celcius, futen në termobokse të mëdha. Llogarisim 120 orë për t’i përdorur këto vaksina për vaksinim”.

Vaksina të ndryshme kanë kushte të ndryshme të ruajtjes, ndaj Specialistja e ISHP thotë se zinxhiri ftohës është gati edhe për Moderna, nëse ajo do jetë një opsion.

“Edhe nëse do të kemi vaksinë të Modernas, që do të thotë -20 gradë Celcius, janë kapacitetet, pasi ne në këto temperatura ruajmë vaksinën ndaj poliomielitit”.

Ndërkohë të gjitha vaksinatorët e qendrave shëndetësore janë të pajisura me frigorifer që ruajnë vaksinat në temperaturat ndërmjet 2 dhe 8 gradë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat