Deklaratat e Nanos që trazuan ujërat politike dhe MEME-t pikante

Shqipëria

Deklaratat e Nanos që trazuan ujërat politike dhe MEME-t pikante

Më: 5 shkurt 2021 Në ora: 20:27
Fatos Nano

Ish-lideri historik i PS-së në intervistën e dhënë në Opinion ka turbulluar shumë ujrat poltike dhe kujtesën e shqiptarëve duke i ndarë në pro dhe kundër.

Në intervistë Fatos Nano ka portretizuar drejtuesit kryesor të rrugëtimit të tij politik, duke ndryshuar qëndrimin e tij 100% në favor të kryeministrit aktual dhe duke fshikulluar Berishën dhe Metën.

Ja disa nga deklaratat:

Për Ramën

Fatos Nano, tha se si kryeministër ka bërë një gabim, me të cilin më parë mburrej: “Kam deleguar shumë pushtet. Tipari im dallues në politikë ka qenë delegimi i pushtetit”. Të njëjtën gjë, tha Nano, po bën edhe kryeministri Rama sot. Por në ndryshim nga ai, Rama ndonëse delegon pushtet, ka një kontroll të rreptë, tha Nano.

“Shoqëria nuk ka qenë kaq e përgatitur për delegim pushteti pa kontrolle rigoroze, sot Rama i bën në mënyrë teknologjike. Dhe Rama delegon pushtet, por i ka në kontroll të rreptë”.

Ndërsa u ndal te kryeministri Rama, Nano u shpreh se posti dhe detyra, e kanë maturuar. Në lidhje me raportin e tyre, ai u shpreh se Rama është ndër të vetmit, që i kërkon këshilla.

“Edi Rama është maturuar dukshëm në zyrën e Kryeministrit dhe në detyrën e Kryeministrit. Detyra e Kryeministrit është e tillë që kur e bën me seriozitet të maturon. Të bën të ndjesh deri në pore përgjegjësinë e vendimmarrjes së shumicës së njerëzve. I pari dhe i fundit që ma kërkon me dëshirë dhe me pahir është kryeministri i sotëm. Kemi krijuar një raport funksional, politik dhe njerëzor me të cilin shkëmbejmë mendime për gjëra thelbësore. Atij i pëlqen të thotë se ka një avantazh shumë të madh, që ai ka kë të pyes e unë s’kam pasur asnjë”, u shpreh Nano.

Për Berishën

Në vitin 1993, Fatos Nano në cilësinë e kryetarit të opozitës në atë kohë nën drejtimin e PS, u arrestua për akuzat e korrupsionit. Ende sot e kësaj dite, Nano fajëson Sali Berishën për burgosjen e tij.

Në një intervistë për emisionin Opinion në Tv Klan, Nano ka akuzuar direkt Berishën duke thënë se është marrë personalisht me burgosjen e tij. Fatos Nano e konsideron Sali Berishën në fillimet e tij si një intelektual kur hyri në politikë, e që më pas u bë politikan, ose siç e konsideron ai “kafshë politike”.

Duke komentuar ngjarjen e 21 Janarit 2011 në bulevardin Dëshmorët e Kombit, Fatos Nano thotë se pas këtij momenti, Sali Berisha pushoi së qeni edhe politikan.

“Do përpiqem të jem i drejtë dhe i sinqertë. Sali Berisha hyri në politikë si intelektual. Pra, intelektual humanist, mjek kardiolog. Në momentin që mori drejtimin e PD, ai u bë politikan. E them këtë gjë sepse intelektuali dhe politikani me kalimin e kohës i lënë vendin njëri-tjetrit. Janë të rralla rastet kur politikani mbetet aq intelektual sa duhet. Më pas ai ka mbikëqyrur që nga idea e parë që hodhi vetë deri në realizim, deri në atëherë kur ra shteti në ’97, burgosjen dhe mbajtjen time në burg. Është marrë ‘in persona’ me këtë gjë.

Berisha thotë shumë gjëra për shumë gjëra, përfshirë dhe 21 Janarin, por unë kam të dhënat e kohës, të dhëna nga njerëzit që kanë qenë dëshmitar në zyrën e tij kur ai është marrë ‘in persona’ me mbajtjen time në burg. Dhe me burgosjen e liderit të opozitës, ai u kthye në kafshë politike. Politikanët janë kafshë politike. Dhe kur marrin vendime të tilla nuk mund të mos u thuash kafshë politike.

Në 21 Janar, ai mbikëqyri, drejtoi dhe u përpoq të mbulonte vrasjen e 4 njerëzve të pafajshëm përballë një proteste masive popullore. Janë të njohura nga shumë njerëz faktet për këtë gjë dhe veçanërisht sjellja e Berishës përballë fakteve. Dhe unë jam i detyruar të them që në 21 Janar 2011, Sali Berisha pushoi së qeni politikan dhe mbeti pjesa tjetër…. që po e dëshmon tani me qytetarin dixhital” – tha Nano.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi në facebook i Berishës: ‘Miq, fajin e ka Saliu’, shkruajti ish-kryeministri  duke postuar në krah një video që tregonte se çkish thënë Nano për Ramën.Çfarë thoshte Nano disa vite më parë për Edi Ramën: “E kam marrë me thonj të paprerë si refugjat nga Parisi dhe e kam sjell të bëjë pjesë në ekipet tona qeverisëse. E nxora nga bataku si refugjat dhe shitës ikonash të vjedhura në kohën e Saliut dhe e bëra ministër dhe kryetar të bashkisë më të madhe të Shqipërisë.

Për Metën 

Ish-kryeministri Fatos Nano nuk i kurseu akuzat për Presidentin Ilir Meta për të cilin tha se është një njeri që i lë punët në mes dhe të vë stërkembëshat. Në intervistën në Tv Klan, Nano tha se Metës i ka dhënë mbështetjen më të madhe, por ai gjithmonë e kishte tradhtuar.

“Nuk kam asnjë raport sot. As fizik asgjë. Fare. Dhe nuk më mungon. Sepse Ilir Meta është një nga përfituesit e mëdhenj të mbështetjes time. Unë thashë nga ata që kam mbështetur, nuk është thashë se është bërë vetëm nga mbështetja ime.

Është një nga përfituesit më të mëdhenj. Qysh nga FRESSHI, nga qeveria e parë, Komiteti i Partisë të Tiranës, i dhashë degën e partisë së Tiranës të tregojë. Të gjithë thonin se është rivali i Nanos, por filozofia ime ishte të integroja dhe ata që mendonin ndryshe.

E deri tek qeveria e fundit. Ilir Meta u bë kryeministër në 1999, pas një marrëveshje me mua. Dhe mbeti i tillë deri kur dha dorëheqjen 2002, sepse kemi Pandin që nuk të lë të gabosh se ai vjen mbrapa.

Ai mendoi se bashkë me krizën energjetike do hante dhe kokën e Fatos Nanos. Pra sapo ishte marrë vesh që do të vazhdonte drejtimin e qeverisë, kur papritur më thotë ‘e deshe merre mbaje me gjithë krizë’.

Kaloi sa kaloi dhe erdhi prapë tek zgjedhja e Moisiut. Në një mënyrë apo në një tjetër më afroi me Berishën dhe më afroi me Metën. Dhe bëmë marrëveshje për të hyrë bashkë në qeveri.

Meta ka pasur gjithmonë planin B në mendje. Ka qenë inaktiv, sikur nuk ekzistone në qeverinë e 2002-2005. Iku në 2003, nuk merrte pjesë në diskutime, ka folur vetëm njëherë kur blemë ambasadën tonë në Athinë.

Plani B ishte ai paralajmërova që në fillim Ilirin, “Ti e ke zakon që të lë në mes të rrugës dhe të fut stërkembëshat”. Jo e kam seriozisht këtë herë më tha. Ky ka qenë plani B, që të ndërpriste punët e qeverisë në mes.

Më lerë ta mbyll kapitullin e Ilir Metës, duke të thënë që nuk ka politikan tek i cili unë shoh pjesën më të madhe të mëkateve, të 7 mëkateve kapitale, është Presidenti i sotëm. Të 7 mëkateve të biblës, ligësia, grykësia…” – tha Nano.

Dy jane me pare edhe presidenti Meta foli ne Opinion per raportet e tij me Nanon: “Unë mendoj, që nëse ai do të kishte pasur më shumë vullnet dhe do të kishte dashur t’i dëgjonte të vërtetat më shumë, padyshim, që do të kishte pasur një kontribut shumë herë më të madh në historinë e vendit. Shqipëria sot do të ishte në një situatë krejt tjetër, në raport të paktën me Bashkimin Europian. Është i padiskutueshëm roli i tij në hapjen e Partisë Socialiste në vitet e para…!

Edhe në qëndresën që ka mbajtur gjatë periudhës të burgut politik, edhe me mbrapa ka bërë përpjekje pozitive për të ndihmuar në zgjidhjet politike, kanë qenë vitet të vështira. Por, mendoj që në vitin 2004 dhe në vitin 2005, u dha tërësisht mbas pushtetit dhe ky besoj ishte gabimi i tij kryesor”.

Image
Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat