Rimëkëmbja e shtëpive muze, Mirela Kumbaro: Arsyet pse u zgjodhën Berati dhe Gjirokastra

Shqipëria

Rimëkëmbja e shtëpive muze, Mirela Kumbaro: Arsyet pse u zgjodhën Berati dhe Gjirokastra

Më: 8 shkurt 2021 Në ora: 22:49
Mirela Kumbaro

Edhe pse qytete muze dhe nën mbrojtjen e UNESCO-s, dhjetëra objekte të trashëgimisë kulturore në Berat dhe Gjirokastër janë duke u rrënuar si pasojë e mungesës së fondeve për t’i mirëmbajtur dhe restauruar. Por shtëpitë karakteristike mund t’i shpëtojnë këtij rrënimi.

Nga Gjirokastra, kryeministri Edi Rama njoftoi se është arritur një marrëveshje me Turqinë për të investuar në mënyrë të konsiderueshme tek objektet e trashëgimisë kulturore. Sipas tij, është rënë dakord për Beratin dhe Gjirokastrën dhe po punohet me planin e ndërhyrjes.

Ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro tha për Euronews Albania se restaurimi i shtëpive muze fillimisht është përqendruar në Berat dhe Gjirokastër pasi janë qytete me numrin më të lartë të pasurive kombëtare.

“Ky nuk është një lajm i mirë i parë. Ky është lajmi i radhës. Për momentin synojmë Gjirokastrën dhe Beratin për dy arsye. E para, sepse që janë të dyja janë pasuri të UNESCO-s dhe në një farë mënyrë niveli i përgjegjësisë shkon përtej vendit edhe në nivel ndërkombëtar. E dyta, janë të dyja qendrat me numrin më të madh të pasurive kombëtare të listuara”, tha znj. Kumbaro.

Ajo shtoi se fokusi i vëmendjes tek Berati dhe Gjirokastra nuk do të thotë se pasuritë e qyteteve të tjera janë më pak të rëndësishme.

“Kjo nuk i bën më pak të rëndësishme Shkodrën, Lezhën, Korçën dhe Pogradecin, por këtu kemi numrin më të madh të përqendruar të objekteve pasuri kulturore, qoftë ato të kategorisë së parë, qoftë ato të kategorisë së dytë. Kostoja është më e lartë dhe nevoja për të gjetur financime përtej buxhetit të shtetit është më e madhe”, shtoi ajo.

Ish-ministrja Kumbaro u shpreh se për t’i shpëtuar këto objekte nga rrënimi duhet që ato të ndryshojnë funksionin dhe të kthehen në hotele e bujtina.

“Nuk do ta shpikim ne rrotën. E vetmja mënyrë për t’i shpëtuar këto objekte është rijetëzimi i tyre duke ndryshuar funksionin, duke i kthyer në hotele dhe në bujtina, i shpëtojmë edhe i kthejmë në burim ekonomie”, tha Kumbaro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat