Rama paralajmëron thellim të reformës në sistemin shëndetësor: Do arrijmë që spitalet publike të funksionojnë…

Shqipëria

Rama paralajmëron thellim të reformës në sistemin shëndetësor: Do arrijmë që spitalet publike të funksionojnë…

Më: 9 shkurt 2021 Në ora: 11:56
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar thellimin e reformave në sistemin shëndetësor, për të adresuar atë që ai e quajti “plagën kanceroze të ryshfetit”.

Në një konferencë me mediat, teksa e quajti “rast skandaloz” atë të çfarë u zbulua në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’, ku deri tani tre infermiere dhe dy sanitare janë arrestuar sepse merrnin para të afërmve të pacientëve të shtruar për shkak të infektimit me koronavirus, Rama tha se “mund të arrijmë dhe do të arrijmë që spitalet publike të funksionojnë me një logjikë që harmonizon shërbimin falas për qytetarët me shpërblimin motivues për mjekët”.

“Një rast skandaloz e kaq domethënës, është një mesazh i qartë për të gjithë atë pjesë të trupës së bluzave të bardha që për fat të mirë është një pakicë e vogël, por e mjaftueshme për të ndotur imazhin, pastërtinë e bluzave të bardha, rrugën e transformimit jo vetëm të kushteve të tyre por edhe të performancës që vazhdon.

Një mesazh i qartë edhe për të ardhmen, pasi unë besoj që kura afatgjatë dhe e suksesshme për të adresuar plagën kanceroze të ryshfetit në sistemin shëndetësor është thellimi i reformës së sistemit.

Reformës që ne e kemi nisur e tani jemi në kushtet kur kemi një bazë solide për të hedhur hapin e madh të autonomisë spitalore, të motivimit të mëtejshëm të mjekëve në bazë të kartës së performancës së tyre, të diverzifikimit sipas performancës dhe të shpërblimit të mjekëve dhe natyrisht të kalimit në tërësi n ë një fazë tjetër ku bazuar në modelet më të mira dhe në praktikat më të mira, mund të arrijmë dhe do të arrijmë që spitalet publike të funksionojnë me një logjikë që harmonizon shërbimin falas për qytetarët me shpërblimin motivues për mjekët.

Kjo është një ambicie e cila është shumë e lehtë ta thuash se sa ta realizosh e cila nuk mund të shihte rrugën e realizimit më parë pa shtruar në fillim bazën e të gjithë infrastrukturës sonë spitalore dhe të të gjithë sistemit tonë të ri shëndetësor.
Ajo që mbetet për tu bërë është ende më shumë se cfarë është bërë”, tha Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat