Katër ditë para Shën Valentinit, merret vendimi për mbyllje totale që prej orës 20:00. Sipërmarrësit: Nuk bën dobi as lockdown-i!

Shqipëria

Katër ditë para Shën Valentinit, merret vendimi për mbyllje totale që prej orës 20:00. Sipërmarrësit: Nuk bën dobi as lockdown-i!

Më: 10 shkurt 2021 Në ora: 17:53
Foto ilustrim

Komiteti Teknik i Ekspertëve mori vendimin që ndalim qarkullimi i lëvizjes të nisë që prej orës 20:00 e mbrëmjes deri në 06:00 të mëngjesit. Ndërsa shkollat e zonave me risk të lartë do të vijojnë mësimin online për periudhën 11 shkurt – 26 shkurt.

Në studion e “Ftesë në 5”, ka folur administrator i një shkolle private në kryeqytet për ndikimin e këtij vendimi si dhe sipërmarrësit e lokaleve, të cilët ndikohen nga kjo mbyllje pasi vjen vetëm katër ditë para festës së Shën Valentinit.

Ermal Hasimja: Mbyllja e gjimnazeve, në 96-97% të shkollave në Shqipëri, këta gjimnazistë do ti zhvendosësh në kafe nga shkolla. Unë mendoj se nuk e ruan kështu. Ata kanë bërë sikur kanë bërë mësim në këtë vit. Një i ri në shkollimin e vet prej 12 vitesh, ka një vit bosh. Ky është problemi kryesor që shoh unë. Unë mendoj që në fund të fundit, secili duhet të mbajë përgjegjësi për veten e vet.

Para 2-3 ditësh në Gjirokastër, asnjë nuk mban maskë dhe njerëzit janë ngjitur. Në Tiranë i sheh njerëzit me maska. Unë mendoj që jo vetëm në rastin e shkollave, por edhe lokaleve, vendos një distancë, por jo mbyllje. Në rastin e shkollave ka dhe një problem tjetër dhe i pyes nxënësit sa e kanë kaluar Covidin dhe nga 16 që ndodhen në një klasë, 12-13 e kanë kaluar. E di që është shumë e sikletshme që të marrësh vendime por vendimmarrjet duhet të jenë më pak për show. Nuk mund të merren vendime të njëjta për të gjithë.

Flora Xhemani: Realiteti ynë shqiptar tani është që nga vera deri në dimër na kanë lënë të ecim në shi dhe tani po na japin një cadër. Edhe lockdown-i nuk bën dobi tani dhe është e kotë kjo lloj mase. Duhet bërë një llogari pragmatiste, ku qëndron humbja më e madhe. Këto masa nuk e përmirësojnë situatën veçse heqin 2 para më shumë nga xhepi i bizneseve. Më mirë të rrinë në universitete në maska se në lokale pa maska.

Arbër Cepani: Jemi para një gjendje kritike sa i përket shëndetit dhe gjendje akoma më kritike sa i përket ekonomisë. Pavarësisht se nuk jemi askush që të gjykojmë masat, duhet të gjykojmë cfarë ndodh nga këto masa. Një biznes që mbyllet dhe lë në mes të katër rrugëve persona që mbajnë familje, kalon në presion psikologjik. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat