Hajdari: Nga nesër s'ka më këshillime, gjoba e deri në pezull të lokaleve e bizneseve që nuk respektojnë masat

Shqipëria

Hajdari: Nga nesër s'ka më këshillime, gjoba e deri në pezull të lokaleve e bizneseve që nuk respektojnë masat

Më: 10 shkurt 2021 Në ora: 23:56
Shkëlqim Hajdari

Kryeinspektori të Kontrollit të Shtetit, Shkëlqim Hajdari tha se duke filluar nga dita e nesërme me hyrjen në fuqi të masave të reja nuk do të ketë më këshillime nga grupet e inspektorëve në terren, por do të nisin gjobat për të gjitha institucionet e bizneset që nuk zbatojnë protokollet antiCOVID. I ftuar në emisionin "Repolitx" në Report Tv, Hajdari tha se arma e vetme për të luftuar rritjen e shifarve në këtë periudhë nuk është më këshillimi, por gjobat. Ndërsa tha se kjo nuk duhet të merret si kërcënim, Hajdari tha se institucionet duhet të respektojnë protokollet për të mos u kthyer në burim infeksioni.

"Kemi synuar që trupat e inspektimit gjatë kësaj kohet ka qenë me shumë te sensibilizimi dhe i kishim ndaluar thuajse fare gjobat dhe kjo për hir të vërtetës ka dhënë rezultate pozitive pasi deri para dy javësh vendi ishte mirë. Por në këtë periudhë të fundit dhe rritja e neglizhencës së COVID nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të nisim me gjobat. Unë kam dhënë urdhrat për të ndërtuar një grup inspektimi që në infektimet qe do bëhen duke filluar që nga nesër në të gjitha institucionet, ndërmarrjet e mëdha, restorantet dhe baret nuk do të ketë më  këshillime, por arma jonë do të jetë gjoba deri tek pezullimi i biznesit sipas rregullave dhe masave në fuqi. Ky nuk është kërcënim, por jemi të detyruar ta bëjmë. Burimi kryesor i infeksioneve është kontakti me njerëzit dhe këto ndodhin në punë, restorante, palestra, ndërmarrje dhe nëse nuk respektohen masat dhe protokollet antiCOVID atëherë kthehen në burim infeksioni", tha Hajdari.

Masat e reja antiCOVID që do të hyjnë në fuqi ditën e nesërme sjellin ndryshimin e orës policore, ku qarkullimi i lëvizjes për qytetarët dhe ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve do të ndalohet pas orës 20:00 deri në orën 06:00, deri më 25 shkurt si masë për frenimin e rritjes së shifrave me COVID që vetëm në 24 orët e fundit janë shënuar 1143 raste pozitive dhe 15 viktima.

Gjithashtu për zbatimin e këtyre masave është paralajmëruar se policia dhe grupet e inspektorëve në terren do të kryejnë masa e kontrolle të shtuara dhe se kush nuk i zbaton do të gjobitet pa asnjë tolerim, në mënyrë që ndërgjegjësimi qytetar të rritet sa më shumë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat